Ismet Kryeziu nga KDI ka reaguar pas deklaratave të Albin Kurtit, duke vlerësuar se këto ” përbëjnë një theqafje politike për vendin”.
Postimi i plotë:
Akuzat e fundit të Albin Kurtit ndaj SHBA-së, se gjoja veprimet e tyre janë kundër sundimit të ligjit në veri dhe janë kërkesa për “kusuritje” me Serbinë e Rusinë në kurriz të Kosovës, përbëjnë një theqafje politike për vendin.
Kjo gjuhë nuk i shërben as forcimit të shtetit, as interesit kombëtar, por vetëm kalkulimeve të ngushta të brendshme të një lideri që konfrontimin brenda e jashtë e sheh si mundësi elektorale.
Për më shumë se 25 vjet, SHBA ka qenë garancia kryesore e sundimit të ligjit në veri, mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës. Sot, një ish-kryeministër dhe kandidat për kryeministër del me akuza të tilla, duke pretenduar se pikërisht SHBA është kundër këtyre parimeve.
Ky është një cënim i drejtpërdrejtë i aleancës strategjike më të fuqishme të Kosovës, në thelb, një goditje ndaj vetë integritetit dhe sovranitetit të vendit nga një udhëheqës shteti.