Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka vlerësuar se qytetarët janë lodhur me klasën politike të papërgjegjshme.
Ai ka bërë me dije se kjo klasë politike betejën për pushtet po e ndjek përmes bllokadës institucionale.
Në profilin e tij në “Facebook”, Kryeziu ka shkruar se institucionet janë kthyer në treg pazari.
“Qytetarët janë të lodhur dhe pothuajse tërësisht të dorëzuar përballë një klase politike të papërgjegjshme, e cila betejën për pushtet po e ndjek përmes bllokadës institucionale. Institucionet janë kthyer në treg pazari dhe në kauza të ngushta individuale e partiake – jo në zgjidhje dhe shërbim për qytetarët. Jemi gati një vit pas shpalljes së zgjedhjeve parlamentare dhe ende pa Kuvend e Qeveri funksionale. Ndërkohë, po afrohet koha e zgjedhjeve të rregullta lokale. Në këtë situatë, ekziston rreziku real që vendi të mbetet pa asnjë nivel funksional të qeverisjes – as në nivelin lokal, as në atë qendror. Kjo është një situatë alarmante dhe e papranueshme: një shtet i tëri në pauzë dhe jo funksional”, ka shkruar Kryeziu.
Sipas tij, qytetarët po përballen edhe me kriza tjera.
“Në vend të konsolidimit të institucioneve, po përballemi me rrezikun real të hyrjes në një spirale degradimi institucional – pa përgjegjësi politike, pa përfaqësim qytetar dhe pa besim publik. Kjo nuk është më thjesht një krizë politike – është krizë e demokracisë, e përfaqësimit dhe e shtetndërtimit. Si qytetarë, nuk i kemi asnjë borxh askujt të abuzon me vullnetin tonë apo të sillet me shtetin si me pronën e vet private”, ka shkruar ai.