Kryetarja e Gjykatës Speciale, gjatë qëndrimit në Kosovë ka pasur takime me ambasadorë të vendeve të BE-së, e ambasadorin e Britanisë.
Ajo ka vizituar edhe Qendrën e Fondit për të Drejtën Humanitare, dhe ka pasur bisedim me studentët e Juridikut.
Njoftimi i plotë:
Kryetarja e Dhomave të Specializuara (DHSK), Ekaterina Trendafilova, përfundoi sot vizitën e saj treditore në Prishtinë. Gjatë vizitës ajo u takua me studentë të Fakultetit të Drejtësisë për të diskutuar kornizën ligjore të DHSK-së, si dhe mandatin dhe funksionimin e saj. Gjithashtu, ajo vizitoi edhe Qendrën e Dokumentacionit të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë. Po ashtu, Gjykatëse Trendafilova u takua me palët e interesuara, mes të cilëve përfaqësues të shteteve anëtarë të Bashkimit Evropian, Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Shefin e Misionit EULEX. Ajo u takua edhe me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Shefin e UNMIK-ut dhe Avokatin e Popullit në Kosovë për t’u dhënë informacione publike rreth mandatit, administrimit dhe veprimtarive aktuale të Gjykatës.
“Ajo çka vlerësova më shumë nga vizita në Kosovë ishte takimi me studentët e universitetit të cilët dua t’i falënderoj për interesin dhe pyetjet e tyre. Studentët treguan njohuri të shkëlqyera të parimeve juridike. Gjëja më prekëse ishte ekspozita e Fondit për të Drejtën Humanitare, që dokumenton zërat dhe përvojat e viktimave dhe mbijetuesve nga lufta në Kosovë,” tha Kryetare Trendafilova.