Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka njoftuar se një zjarr i madh ka përfshirë zonën pyjore mbi fshatin Corroticë të kësaj komune.
Sinani thotë se flakët janë përhapur me shpejtësi, ndërsa Shtabi për Situata të Jashtëzakonshme është aktivizuar menjëherë dhe është në koordinim të plotë me ekipet e zjarrfikësve që ndodhen në terren.
Ajo i ka lutur qytetarët të mos ndezin zjarre në pyje apo afër shtëpive, sepse edhe pakujdesia më e vogël mund të sjellë pasoja të mëdha për njerëzit dhe natyrën.
Postimi i saj:
Pamje shqetësuese nga fshati Corroticë
Me keqardhje të madhe ju njoftojmë se një zjarr i madh ka përfshirë zonën pyjore mbi fshatin Corroticë. Flakët janë përhapur me shpejtësi.
Shtabi për Situata të Jashtëzakonshme është aktivizuar menjëherë dhe është në koordinim të plotë me ekipet e zjarrfikësve që ndodhen në terren. Janë kontaktuar edhe shtabet përkatëse në Vrajë dhe komunat përreth për ndihmë të menjëhershme.
U bëjmë thirrje të gjithë banorëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve. Po ashtu ju lusim me përgjegjësi të mos ndizni zjarre në pyje apo afër shtëpive, sepse edhe pakujdesia më e vogël mund të sjellë pasoja të mëdha për njerëzit dhe natyrën.
Kujdes i shtuar kërkohet edhe në pjesët tjera të qytetit dhe komunës sonë, pasi thatësia dhe temperaturat ekstreme e rrisin ndjeshëm rrezikun për zjarr.
Falënderojmë të gjithë ata që janë në vijën e parë të përballjes me zjarrin dhe janë duke bërë maksimumin për ta vënë nën kontroll situatën.