Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së (SHIL), dega në Lipjan, Bujar Karpuzi, ka reaguar pas njëshkrimi të publikuar nga anëtari i kësaj shoqate, Azem Drenica, duke sqaruar procesin e ndarjes së 29 banesave për familjarët e dëshmorëve dhe invalidët e luftës.
Karpuzi thekson se lista me përfituesit është përpiluar nga kryesia e SHIL-it, duke pasur parasysh shkallën e invaliditetit, kushtet materiale dhe rrethanat familjare të secilit kandidat. Ai sqaron se fillimisht komuna kishte kërkuar përzgjedhjen e katër invalidëve, por pas diskutimeve në kryesi, lista u zgjerua në nëntë emra, nga të cilët njëri – Afrim Shamolli – u tërhoq me vullnetin e tij, duke e lënë listën me tetë propozime.
“Lista për përfitimin e banesave është dërguar nga kryesia e SHIL-it në Komunën e Lipjanit. Më pas, me ndihmën e kryetarit të atëhershëm, Shukri Buja, dhe investitorëve, numri i banesave u rrit nga 26 në 29, prej tyre 22 për familjet e dëshmorëve dhe 7 për invalidët e luftës,” ka deklaruar Karpuzi.
Ai shton se mes përfituesve nuk ishte përfshirë Azem Drenica, për shkak se në atë kohë jetonte dhe trajtohej jashtë vendit, ndërsa numri i banesave ishte i kufizuar. Sipas tij, ishte dhënë premtimi se në ndarjet e radhës, Drenica do të ishte përfituesi i parë.
Karpuzi ka kritikuar edhe qeverisjet komunale pas vitit 2013, kur sipas tij bashkëpunimi me SHIL-in u ndërpre, ndërsa banesat nuk u dhanë si dhuratë, por vetëm në shfrytëzim përmes konkursit publik, ku invalidët nuk kishin prioritet.
Në reagimin e tij, Karpuzi ka kërkuar që kjo kategori të trajtohet me prioritet dhe jo të përdoret për qëllime politike.
“Institucionet e Kosovës kanë për obligim të kujdesen për këtë kategori shumë të rëndësishme të shoqërisë, e cila vjen menjëherë pas familjeve të dëshmorëve. Nuk duhet të luhet me ndjenjat e tyre, sepse invalidët e UÇK-së kanë sakrifikuar shumë për lirinë dhe shtetin që sot e gëzojmë,” ka përfunduar ai.