Kryetari i Preshevës Shqiprim Arifi ka reaguar pasi Ragmi Mustafi u emërua këshilltar të zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Besnik Bislimi.
Ai në profilin e tij në ‘Facebook’ ka publikuar një video teksa ka shkruar e ka quajtur Mustafin të paditur dhe zhvatës të parave të Qeverisë.
“Ky dështak është zhvatësi kryesorë i cili manipuloi me 1.2 milion Euro të Qeverisë së Kosovës si ndihmë për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Madje, është ky i cili mijëra euro të buxhetit të Republikës së Kosovës si ndihmë përmes Këshillit Nacional Shqiptar në Serbi, për lobim në SHBA i “zbarkonte” tek xhirollogaritë e kompanisë së familjarit të zv. kryeminstrit Bislimi. Pra, dora e djathtë pastron të majtën dhe vice versa. Çfarë këshilla mundet t’i japë ky i paditur Qeverisë së Kosovës?“, shkroi Arifi.
Tutje ai ka përshkruar videon në të cilën Mustafi dëgjohet duke thënë se e ka me të lehtë të shprehet në serbisht se në shqip.
Sipas Arifit këshilltari i emëruar nga Bislimi dikur kishte bërë marrëveshje sekrete me serbët.
“Ky, që ka shprehur dëshirë si gjimnazist të studioj në Beograd, meqë sipas tij kualiteti i universiteteve shqiptare në Ballkan ishte i ulët për të?!Ky puthadorës i pushteteve serbe, i cili përmes Këshillit Nacional Shqiptar në Serbi bënte marrëveshje sekrete me ministren serbe për minoritete dhe deklaronte se nuk ka pasivizime të shqiptarëve në Luginën e Preshevës?! Ky që Ushtrinë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc e quante REBELIM të qytetarëve”, tha ai.