Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, ka sqaruar arsyet pse subjekti i tij ka zgjedhur të bashkëpunojë me Lidhjen Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e ardhshme. Në emisionin “Këndi i debatit” në Tëvë1, Agani theksoi se ky është bashkëpunimi i parë i drejtpërdrejtë i PD-së me LDK-në në një proces zgjedhor.
“Është hera e parë që Partia e Drejtësisë hyn në një bashkëpunim të drejtpërdrejtë me LDK-në, edhe pse kemi pasur një bashkëpunim shumë përmbajtjesor politik me LDK-në sa kam qenë unë ministër në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Edhe kur kemi qenë të përfaqësuar me katër deputetë në Kuvendin e Kosovës në periudhën 2012–2014, kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë, por në proces zgjedhor nuk kemi qenë asnjëherë bashkë,” ka thënë Agani.
Sipas tij, situata aktuale politike në vend e ka bërë të domosdoshme krijimin e një boshti më të qëndrueshëm në qendrën politike.
“Pse LDK-ja? Mendoj se momenti politik aktual në Kosovë imponon nevojën që të krijohet një unitet politik, një stabilitet politik, veçanërisht në qendrën politike. Kemi subjekte të majta dhe të djathta që janë të artikuluara, por qendra politike – e cila në esencë reflekton një program konservator – është në kërkim të vetvetes. Afrimi me LDK-në, si parti me përvojë të gjatë institucionale, i ofron stabilitet kësaj qendre politike,” ka theksuar ai.
Agani ka përmendur dy fusha ku PD dhe LDK, sipas tij, plotësojnë njëra-tjetrën: politikat familjare dhe reformën në sektorin e shëndetësisë.
“Ministria e Familjes na bashkon, objektivi familjar na bashkon, dhe e dyta, potenciali reformues në sektorin e shëndetësisë që ka Partia e Drejtësisë. Nëse shihen këto dyja, janë komplementare në shumë pika, ndërsa programi ynë shëndetësor është më i detajuar,” ka shtuar ai.
Megjithatë, Agani ka theksuar se ky nuk është një koalicion i plotë parazgjedhor.
“Nuk është koalicion. Ne jemi të përfshirë me kandidatët tanë në listën e kandidatëve të LDK-së,” ka deklaruar ai.





