“…kjo situatë politike nuk mund të zgjidhet përveç me një marrëveshje politike”, ka thënë deputeti i Vetëvendosjes Glauk Konjufca.
“Nga e thëna, në të bërë, është në mes një det i tërë…”, kjo është thënia që i përshtatet situatës politike me të cilën po përballet vendi.
Emri i Albulena Haxhiut për Kryetare të Kuvendit është i papranueshëm për partitë tjera dhe Lëvizja Vetëvendosje e ka përmendur marrëveshjen politike, por të paktën publikisht nuk e ka ndërmarrë asnjë hap drejt saj.
Përballë pyetjes se çka pritet të ndodhë në seancën tjetër dhe a ka takim me partitë tjera ka heshtur edhe zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, por edhe deputeti Xhela Sveçla.
Partia Demokratike e Kosovës të paktën deri në publikimin e kësaj kronike nuk ka pranuar ftesë për takim.
“Nuk mund të flas për situata politike, jemi deklaru edhe dje, topi nuk është tek PDK, topi është tek koalicioni VV-Lista Guxo-Alternativa për t’i bërë numrat brenda Kuvendit të Kosovës. Po e them nëse ata i kanë numrat duhet ta dëshmojnë që të mos kemi bllokim të vazhdueshëm të Konstituimit të organeve të Kuvendit”, ka thënë deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.
Deliu thotë se Albulena Haxhiu është politikane përçarëse e polarizuese, prandaj nuk do ta votojnë në asnjë mënyrë.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë dhënë ndonjë qëndrim, përkundër interesimit dhe kontaktit me disa deputetë.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj për TV Dukagjini shkurtimit e ka konfirmuar se nuk kanë pranuar ftesë për takim, ndërsa kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, ka qenë i paqasshëm.
Ndërkaq dëshirës së AAK-së që deputetet Saranda Bogujevci ose Shqipe Selimi të propozohen për kryetare të Kuvendit, i janë përgjigjur negativisht të dyja.
Bogujevci përmes një shkrimi në Facebook, ndërsa Shqipe Selimi në një përgjigje me shkrim për TV Dukagjini.
“Por këtë propozimin e AAK-së normalisht që kanë të drejtë të propozojnë, por jo në këtë rast. Sepse në këtë rast i bien që VV-ja ta ketë propozimin për kryeparlamentar…”, ka thënë Selimi.
Ish-udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri thotë se partia fituese e zgjedhjeve po flet për marrëveshje politike por nuk po punon që të bëhet realitet.
“Mirëpo Lëvizja Vetëvendosja duke qenë grupi më i madh parlamentar ka përgjegjësinë më të madhe për me e nxitë këtë diskutim në mes të partive politike e në anën tjetër për me e pasë një ide se ka me shku. Dhe asnjëra nga këto nuk po shihet nga VV, përkundrazi ata po e përdorin mekanizimin e vjetër. të polarizimit, shantazhit, sharjes që me e pamundësu çfarëdo marrëveshje në mes të parive politike”, ka thënë Ymeri.
Seanca e katërt ku Lëvizja Vetëvendosje do të tentojë t’ia sigurojë 61 vota Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, mbahet nesër nga ora10:00 në mëngjes.