Por, ajo që nuk u pa në ato imazhe ishte një detaj që nuk i shpëtoi vëmendjes së publikut: në muret e dhomës ku ndodhi ceremonia, qëndronte i varur një portret i madh i diktatorit Enver Hoxha. Ky element ishte i padukshëm në fotografitë zyrtare të shpërndara nga kryetari, pasi ato ishin prerë në mënyrë të tillë që portreti të mos dukej.
Në postimin e Hyseni-it, Zymeri përshkruhet si një patriot që qëndroi i palëkundur në luftën për liri, një pjesëmarrës aktiv në Ballin Kombëtar dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Baca Pajazit, që në vitin 1969 iu bashkua Ballit Kombëtar në Austri, vazhdoi aktivitetin e tij patriotik në Lëvizjen Popullore në diasporë, duke bashkëpunuar me figura të njohura si Kadri Zeka dhe Ibrahim Kelmendi. Mori pjesë në demonstratat historike të vitit 1981 në Zvicër, u përball me arrestime e tortura, por kurrë nuk u tërhoq nga rruga e lirisë.Kontributi i tij shtrihet nga ndihma për bashkatdhetarët në mërgim, te mbështetja financiare për fondin “Vendlindja Thërret”, e deri te pjesëmarrja si luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Brigadën 121 gjatë Betejës së Pashtrikut.Nderim e mirënjohje të përjetshme për veprën e tij patriotike!”, ka shkruar ai.
