Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese për interpretim Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), atë për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe vendimin për statutin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Kjo pasi sipas tyre këto ligje janë kundërkushtetuese.
Reagime të shumta pati sidomos për ligjin për KPM-në, derisa nga AGK bënë dhe thirrje që të reagojë Presidenca e të mos e lejojë hyrjen e tij në fuqi.
Lidhur me këtë në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës ,Xhemajl Rexha, i cili tha se mirëpresin çdo iniciativë qoftë ligjore apo kushtetuese që ndihmojnë në mos hyrjen në fuqi të ligjit për KPM-në.
“Siç e kemi dënuar momentin që është miratuar ligji në Kuvendin e Kosovës, ne mirëpresim çdo iniciativë qoftë ligjore apo kushtetuese që do të ndihmojnë në mos hyrjen në fuqi të ligjit për KPM, kështu që për ne është lajm i mirë që ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese dhe ne presim që Gjykata Kushtetuese të konsiderojë vërejtjet tona”, deklaroi ai.
Rexha ka folur edhe për rastin e fundit që ndodhi në Radio televizionin e Kosovës , ku thotë se për ne është e papranueshme publikimi i lajmit në RTK dhe se është jashtë çdo etike gazetareske.
Ai thekson se Qeveria e Kosovës po mundohet që t’i targetojë mediat si armiq të popullit.
“Ditët e fundit ndaj dy portaleve Kosovare janë vazhdim i asaj që qeveria e Kosovës ka bërë më shumë se tri vitet e fundit që është t’i targetojë mediat si armiq të popullit dhe për ne kjo është absolutisht e pa pranueshme publikimi i lajmit nga një medium nga Bosnja në televizionin qendror të lajmeve në RTK, është jashtë çdo etike gazetareske dhe të publikohet një lajm u cili sulmon kolegët është e papranueshme dhe ne I dënojmë thirrjet e deputetëve të VV-së që në fakt kanë bërë thirrje ti linçojnë këto dy portale dhe gazetarët që punojnë në to, këto thirrje janë të rrezikshme dhe ne edhe një here bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës, qeverisë Kurti, Lëvizjes Vetëvendosje që të mos angazhohen në fushata denigruese dhe fyese kundër gazetarëve”, theksoi ai.