![Kryesia jep miratimin, Basha dhe Gjergj Hani në garë për kreun e PD Kryesia jep miratimin, Basha dhe Gjergj Hani në garë për kreun e PD](https://gazetascanner.com/wp-content/uploads/2023/06/Basha30qershor-847x477-1.jpg)
Lulzim Basha dhe Gjergj Hani janë 2 kandidatët zyrtar për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet që priten të mbahen në 29 korrik. Në mbledhjen e sotme, Kryesia i dha dritën jeshile këtyre 2 emrave që kërkojnë të marrin drejtimin e kësaj force politike, e cila nuk ndodhet në ditët e saj të mira, e përçarë në më shumë se 2 pjesë. Në deklaratën zyrtare pas marrjes së vendimit, Kryesia tha se ky është një moment vendimtar për PD, teksa u bëri thirrje të gjithë demokratëve që të jenë pjesë e këtij procesi.
“Miratimi i kandidaturave për pozicionin e Kryetarit të Partisë Demokratike shënon një moment vendimtar për familjen tonë politike. Në prag të çeljes së garës, ne ftojmë çdo demokrat të jetë pjesë aktive e saj dhe e procesit të riorgnizimit, nëpërmjet të cilit do të ngrihemi në lartësinë e vlerave dhe aspiratave mbi të cilat Partia Demokratike u themelua në Dhjetor të vitit 1990, si forca e parë pro-perëndimore dhe si shpresa e shqiptarëve për ndryshim”, thuhet në deklaratë.
Në mbledhje morën pjesë 17 anëtarë, 14 në sallë dhe 3 online, teksa ra në sy mungesa e Gazment Bardhit dhe një pjese të konsiderueshme të deputetëve. Nisur nga kjo, Kryesia e ka cilësuar si të papranueshëm qëndrimin bojkotues.
“Nisur nga zhvillimet e fundit brenda forcës sonë politike, Kryesia e Partisë Demokratike e vlerëson të papranueshëm qëndrimin bojkotues të disa prej anëtarëve të saj dhe fton secilin prej tyre të vetëpërmbahet nga ngritja e pretendimeve të pabaza që dëmtojnë interesat e familjes sonë politike. Ne ftojmë çdo anëtar të Kryesisë së Partisë Demokratike të jetë pjesë e jetës institucionale dhe t’i japë zë çdo shqetësimi që mund të ketë brenda mandatit me të cilin është ngarkuar nga anëtarësia.
Mosnjohja e institucioneve, pretendimet mediatike të pabaza dhe akuzat e pamotivuara nuk ndihmojnë procesin e riorganizimit dhe shfokusojnë përpjekjet e përbashkëta për t’u dhënë demokratëve dhe shqiptarëve një opozitë të fortë dhe një alternativë qeverisëse të denjë për sfidat e Shqipërisë”, përfundon deklarata.