Socialistët u përpoqën në mbledhjen e Kryesisë të së mërkurës të skiconin profilin e Presidentit të ardhshëm.
Çdonjëri nga anëtaret e këtij forumi hodhi ide mbi fushat nga duhet të shohin për përzgjedhur kreun e ri të shtetit, i cili domosdoshmërisht nuk duhet të jetë pjesë e politikës aktive dhe prerazi jo nga grupi parlamentar socialist. Por fushat më të gjithëpranuara ishin diplomacia, ushtria dhe Akademia e Shkencave.
“Është një vendim i konsoliduar, është se kandidati apo kandidatja nuk do të jetë nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste”.
Asnjë emër nuk u lejua nga kryesocialisti të hidhej për diskutim për këtë mbledhje, as emrat më të përzgjedhur nga zarfat e grupit parlamentar që Tv Klan mëson se në krye të listës janë renditur 4 zonja si më të preferuara. Vetë Rama pranon që ka pasur dhe emra që janë pjesë e selisë roze por dhe emra jopolitik.
“Aty ku janë bërë nga tre propozime nga çdo deputet, ka edhe nga brenda edhe nga jashtë grupi parlamentar i Partisë Socialiste, është gjëja më e bukur dhe më natyrale”.
Nëse Kushtetuta nuk do ta kishte si detyrim të jetuarit 10 vjet brenda vendit, Rama shpreh te preferuarin e tij për President.
“Ne do kishim vënë Hashim Thaçin president me siguri dhe do të ishte një president i shkëlqyer për Shqipërinë dhe për Kosovën”.
Sa për opozitën nisur nga eksperienca e tij kur ishte opozitar ai mendon se nuk duhet të vetëpërjashtohet nga ky proces.
“Nëse ata nuk do sjellin asnjë kontribut, është zgjedhja e tyre, nuk ka këtu ndonjë dramë të madhe”.
Ripërsërit vijen e kuqe të negociata me ish-Kryeministrin Berisha.
“Ne nuk bëjmë asnjë negociatë e nuk kemi asnjë komunikim për të bërë në funksion të të ardhmes me atë që në funksion të politikës është përfaqësues i botës së përtejme”.
Në kryesi u vendos që në 7 Maj të mblidhet Asambleja Kombëtare që do të hapë procesin e zgjedhjeve për kryetarët e rinj të Partisë Socialiste në 61 bashki.