Kryeshefi i Ndërmarrjes Publike “Pastrimi”, Petrit Reçica, ka ngritur shqetësimin për gjendjen alarmuese në ndërmarrje, si pasojë e mospagesës së borxheve nga Komuna dhe qytetarët.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Reçica bëri të ditur se borxhi ka arritur në 2.7 milionë euro dhe se tash e pesë muaj “Pastrimi” po ofron shërbime pa asnjë pagesë.
“Ne nuk po kërkojmë ndihmë, po kërkojmë paratë tona. Me këtë shumë do të shlyenim të gjitha borxhet dhe do të vazhdonim punën pa pengesa,” u shpreh ai, duke shtuar se ndërmarrja nuk ka krizë financiare, por një problem të shkaktuar nga mospërmbushja e obligimeve nga Komuna.
“Ne kemi vetëm një kërkesë dhe e kemi adresuar edhe zyrtarisht: të paguhet borxhi për shërbimin që jemi duke e bërë tash e pesë muaj. Borxhi ka arritur në 2.7 milionë euro dhe nuk ka asnjë pagesë nga Komuna dhe qytetarët, për shkak të thirrjes që është bërë për të mos paguar në ‘Pastrimi’. Kjo na ka sjellë në këtë situatë. Nuk ka qenë dëshirë apo vullnet yni që sot të ballafaqohemi me mungesë të naftës. Siç po shihet, punëtorët i kemi dhe prej mëngjesit jemi duke diskutuar. Është një situatë që nuk e dëshirojmë dhe nuk po ndihemi mirë” , tha Reçica.
Ai shtoi se kjo situatë ka shkaktuar probleme serioze, përfshirë mungesën e naftës për automjetet dhe vonesa në pagesat e punëtorëve.
Reçica paralajmëroi se vonesat e mëtejme mund të rrezikojnë edhe shëndetin publik për shkak të pamundësisë për ofrim të rregullt të shërbimeve.
“Ne punojmë shumë, 24 orë në shtatë ditë të javës. Nëse dikush ka inate personale, le t’i tregojë cilat janë ato, sepse ne konsiderojmë se punën e kemi kryer në nivelin më të lartë. Në këtë situatë, neve na janë shkaktuar probleme financiare. ‘Pastrimi’ nuk ka krizë financiare, por problem financiar të shkaktuar nga Komuna. Qytetarët kanë bërë pagesa mbi një milion euro, por ato para po mbahen. Problemi është mungesa e pagesave. Po t’i kishim ato mjete kamionët do të dilnin dhe do të punonin, sepse nuk duam ta rrezikojmë shëndetin publik”, tha për EO, kryeshefi i Ndërmarrjes publike “Pastrimi”, Petrit Reçica.