7.1 C
New York
Monday, January 12, 2026

Buy now

Kryeqyteti në pritje të pranverës

- Advertisement -

Shkruan: Ragip Gjoshi

Fryn erë e rrëbeshe mbi Kryeqytetin tim
Aspak shqetësim as temperaturë në Parlament;

Mbi Gjykatën speciale mjegullnajë speciale,
Agu zbardh përditë me ndonjë emër special,
Dy mijë vjet mugullojnë e bien gjethet e lisave,
Herë me shpërthime e herë me tharje speciale…

Po vonohet Pranvera optimiste në Kryeqytet,
Xhipa të zinj rendin, poshtë e lartë bëjnë pluhur;
Symbyllurazi vërdallën diplomatët e huaj,
Askush më s’beson askend, në vendin tim…

Nëpër kafene fatet e vendit hedhen në filxhan,
Bëhen dhe frymëzim poeti me zemër si valë deti;
Poeti s’e ndalë këngën në pritje të çmimit Nobel,
Derisa të nënshkruhen dekretet për udhët tona;
Plot mllef mallkon poeti, tek zbraz e mbush kupa,
Sikur Khajamit, i mungon buzëqeshja për çupa…

Në njërën tavolinë në shoshë vihet politika,
Në një qoshe skicohet histori e re e kombit;
Etërit të shqetësuar për vonesën e pranverës,
Bijtë e shkabës peng të lirisë për trojet e veta,
Ata krenarë edhe prapa dyerve të hekurta,
Në Hagë edhe pas shtatë drynash mbyllë.

Në kafenen në Ora,në mesin e Kosovës
Agun e pres me aromën e kafesë pa sheqer
Vërdallën dreqnitë e heshtuara dreqnisht
Frymëzimin ma dogji malli, e ka dehur tape;
N’teatër iu ndërrohen rolet xhelatit e viktimës,
Ku vargjet rrjedhin si lumi Drenica me mllefe…

Tek zbres si kalamendur mbi kalldërmet e gurta,
Përzihehet zëri i kambanave dhe zëri i minareve
Poetin e dogji malli për pranverën,u bë shkrumb;
Mirë thoshte Dritëroi për një t’çmendur-pa mend,
Që në vendin tij, një i çmendur, çmend një vend…

Prishtina është e pagjumë,dot nuk flen,
Dikush këndon përçartë – poeti rënkon;
Për zogjët që mbahen peng dhe zogjët n’ikje
Lutet të pushojnë erë e rrëbeshe mbi Kosovë
Kryeqyteti në pritje të pranverës…

Drenicë, më 11 janar 2026

Të ngjashme

Të fundit