Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, mirëpriti sot Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, njofton Kryeministria.
Në takim u diskutua për zhvillimet në vend, për gjendjen e komuniteteve joshumicë, në veçanti të komunitetit joshumicë serb, dhe për rrugën drejt zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.
Kryeministri e njoftoi emisarin Sørensen me mbështetjen financiare që i është dedikuar ndër vite komunave me shumicë serbe, me theks ato në veri të vendit, dhe me rezultatet e politikave të punësimit dhe hapjen e institucioneve të Republikës së Kosovës në katër komunat në veri të vendit. Atje, që nga prilli i vitit 2024, mbi 800 qytetarë të këtyre komunave kanë gjetur punë përmes programit qeveritar “Qeveria për Familjet” dhe mbi 430 biznese të reja janë regjistruar në po këto komuna nga 1 janari i vitit të kaluar. Kryeministri gjithashtu e theksoi faktin se që prej dorëheqjeve kolektive të policëve serbë në veri të Kosovës në nëntor 2022, rreth 200 policë të rinj nga komuniteti joshumicë serb, tashmë i janë bashkuar Policisë së Kosovës dhe po i shërbejnë qytetarëve të vendit, pa dallim. Ai shtoi se nuk është shënuar asnjë incident ndërmjet punëtorëve shqiptarë dhe atyre serbë në këto dy vitet e fundit, qoftë në kompanitë private, ku punojnë bashkë, qoftë në institucionet publike, ku u shërbejnë bashkë qytetarëve të këtyre komunave, duke dëshmuar kështu, që qasja dhe veprimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve tjera shtetërore janë në funksion të integrimit të qëndrueshëm të komunitet joshumicë serb.
Në anën tjetër, kryeministri ngriti shqetësimin e tij me emisarin Sørensen në lidhje me deklaratat e vazhdueshme kërcënuese të krerëve të Serbisë ndaj Kosovës dhe arrestimet arbitrate të qytetarëve të Republikës së Kosovës gjatë udhëtimit tranzit përmes Serbisë nga autoritetet serbe, ndaj të cilëve kërkoi reagim të zëshëm dhe dënues nga komuniteti ndërkombëtar.