Kryeministri sllovak, Robert Fico beson se ka një probabilitet të lartë se shumë shpejt do të përfundojë lufta në Ukrainë.
“Ekziston një probabilitet i lartë që lufta në Ukrainë të përfundojë në një periudhë të shkurtër kohore. Unë pres disa indikacione nesër, sepse papritmas u shfaq tema e ftesës së Ukrainës në NATO”, tha ai në komisionin parlamentar.
Fico do të marrë pjesë nesër në samitin e Bashkimit Evropian. Aty do të jetë edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili është ftuar t’u shpjegojë planin e fitores udhëheqësve evropianë.
Lideri ukrainas për herë të parë sot në parlamentin e vendit të tij i shpalli detajet e Planit të Fitores, shkruan reuters.
Plani përfshin pesë pika – ftesën për anëtarësim në NATO, aspektin mbrojtës, parandalimin jobërthamor të agresionit rus, aspektin ekonomik dhe arkitekturën e sigurisë pas luftës. Tri shtesa të planit kanë mbetur konfidenciale, por janë ndarë me partnerët perëndimorë.
Fico ka thënë vazhdimisht se do të bllokojë hyrjen e Ukrainës në NATO për sa kohë të jetë kreu i qeverisë sllovake.
Që kur fitoi zgjedhjet e vjeshtës së kaluar, Fico ka ndryshuar politikën e qeverisë së mëparshme për të ofruar mbështetje materiale për Ukrainën në luftën e saj me fuqinë agresore dhe në vend të kësaj premtoi se qeveria nuk do të dërgonte “asnjë plumb të vetëm” në Ukrainë.