Me një gjuhë shpotitëse dhe aspak “modest” për investimet që qeveria e drejtuar prej tij ka bërë në sport e veçanërisht në futbollit, Kryeministri Edi Rama siguroi presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, se mbështetja ndaj sportit nuk do të mungojë.
“I dashur Gianni, unë po flas me gjuhën e dytë në Shqipëri që është italishtja, për të shmangur gabimet në përkthim. Shqipja nuk është zyrtare në Zvicër, por është gjuha e parë ndërkombëtare që flitet nga shqiptarët që jetojnë dhe dhe luajnë futboll në Zvicër.
Nuk duhet të bëj blafsemi, po ju jeni përfaqësuesi i dytë më i rëndësishëm i një feje që është futbolli. Jemi të nderuar që të mikpresim në Shqipërinë e Vogël. Nuk është fuqi e futbollit, por superfuqi e mikpritjes dhe e pasionit në sport, që sigurisht ne duam ta zhvillojmë.
Qeveria për të cilën presidenti dhe shumë presidentë të tjerë kanë votuar nuk ka bërë hiç për futbollin, e ka bërë qeveria jonë.”
Rama premtoi se qeveria që ai drejton do të investojë edhe më shumë për ndërtimin e fushave të futbollit.
“Kemi bërë stadiume, por duhet të ndërtojmë më shumë fusha futbolli. Shpresoj të sjellësh paratë që ke pretuar për fushat e futbollit. Ti vë milionat e tua, ne vendosim qindra mijëra tonat. Dhe me pas presidenti vendos pasionin. Duhet të bëjmë shumë fusha në të gjitha qytetet. Prindërit dhe fëmijët kanë nevoje”.
Në mbyllje të fjalës së tij, Rama sërish nuk ngurroi të shpotiste presidentin e FSHF-së, Duka.
“Unë kam një dhuratë, nuk është shpatë. Shpatat hyjnë në arsenalin e atyre që votojnë këta këtu. Unë kam penelet. Kjo është për presidentin, një libër imi, me artin tim. Kjo është verë shqiptare dhe shishet janë dizejnuar prej meje.”