Kryeministri i Kroacisë, Andreja Plenkoviç, ka shkarkuar këtë të shtune Ministrin e Mbrojtjes, Mario Banozviç, pas një aksidenti të rëndë trafiku ku ai ka qenë i përfshirë, e për pasojë ka humbur jetën shoferi i furgonit (40), ndërsa vetë Banoziç ka mbetur i lënduar rëndë.
Plenkoviç njoftoi se ka autorizuar Sekretarin e Shtetit për të kryer detyrat e ministrit të Mbrojtjes.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Plenkoviç fillimisht shprehu ngushëllimet e tij për familjen e shoferit të furgonit që vdiq, Goran Shariç, dhe tha se do të gjejnë ndonjë mënyrë për t’i ndihmuar ata.
“I keni dëgjuar rrethanat e aksidentit dhe shprehim keqardhjen dhe shqetësimin tonë për gjendjen e ministres e cila është shtruar në spital me lëndime të rënda”, ka thënë Plenkoviç, transmeton media kroate “Index.hr”.
Ai shtoi se vetë ministri Banoziç ishte duke vozitur veturën e tij.
Siç raportojnë mediat kroate, Banoziç ishte duke shkuar për gjueti kur ndodhi aksidenti.
Nga ky aksident ka mbetur i vdekur një 40 vjeçar nga Privlaka, baba i dy fëmijëve.
Ndërsa, Zyra e Prokurorit të Shtetit kroat ka njoftuar se Banoziç parakaloi kamionin në mjegull dhe u përplas kokë më kokë me një furgon që vinte nga ana tjetër.
Aksidenti ka ndodhur në ora 6:15 në dalje nga Vinkovci në drejtim të Zhupanjës. Banoziç u pranua në spitalin e Vinkovac në 8:30 të mëngjesit, dhe më pas u transferua në spitalin e Osijekit.
Spitali në Osijek raportoi se Banoziç ndodhet në repartin e kujdesit intensiv, se ai ka lëndime në tru, gjoks dhe gjymtyrë dhe se jeta e tij nuk është në rrezik.
“Nuk e mban mend aksidentin”, ka thënë doktori i tij.