3.5 C
New York
Saturday, December 28, 2024

Buy now

Kryeinspektori i paligjshëm i Hekuran Muratit nuk e lëshon pozitën, kapet me zëvendësin – Ministria shpall konkurs

- Advertisement -
Kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi, prej 14 korrikut 2022 vazhdon ta mbajë pozitën, pavarësisht se Këshilli Mbikëqyrës Civil konstatoi se emërimi i tij është bërë jashtëligjshëm. Vendimin e Këshillit e konfirmuan Gjykata Themelore, Apeli dhe Supremja. Kur, më në fund, zëvendësi i Nikçit ka kërkuar nga ky i fundit t’i dorëzojë mjetet e punës, në Inspektorat është krijuar hallakamë e madhe. Ministria e Financave ka shpallur konkurs të ri.

Dje ka qenë afati i fundit që Hekuran Nikçi që ka mbajtur pozitën e Kryeinspektorit të Punës t’i dorëzojë vulat dhe të gjitha mjetet e punës. Megjithatë, bazuar në komunikimet që ka siguruar Nacionale, ai po refuzon ta bëjë një gjë të tillë.

Kjo pasi që prej korrikut të vitit 2022, Nikçi po e mban pozitën e tij jashtëligjshëm. Megjithatë, Hekuran Nikçi po këmëngulë të mos e lëshojë pozitën.

Këshilli Mbikëqyrës Civil, Gjykata Themelore, Apeli dhe Supremja, kishin konfirmuar se emërimi i Hekuran Nikçit nga ministri Hekuran Murati, ishte bërë në kundërshtim me ligjin. Megjithatë, tash kur Nikçit po i kërkohet largimi nga kjo pozitë, në Inspektoratin e Punës është shkaktuar ‘luftë’.

Gazeta Nacionale ka siguruar një vendim të nënshkruar nga zv/kryeinspektori Agim Millaku. Aty, kërkohet nga Hekuran Nikçi që ta dorëzojë vulën dhe të gjitha mjetet e punës. Kjo pasi Këshilli Mbikëqyrës Civil konstatoi pas vendimit të Gjykatës Supreme, se Nikçi nuk është Kryeinspektor.

“Obligohet z.Hekuran Nikçi – ishkryeinspektor i punës (Drejtor Ekzekutiv) në Inspektoratin Qendror të Punës që me datë 26.12.2024 të dorëzoi vulën zyrtare, dokumentacionin që posedon si dhe mjetet e punës në posedim që janë pasuri e IQP. Dorëzimi të bëhet në Departamentin e Administratës dhe Shërbime të Përgjithshme”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga zv/kryeinspektori, Agim Millaku.

Dokumenti i siguruar nga Nacionale përmban vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës Civil me të cilin u konstatua se emërimi i Nikçit ishte i paligjshëm, pasi ishte bërë pa procedura të konkursit. Aty përmenden vendimet e tri shkallëve të Gjykatave, Themelores, Apelit e Supremes, që konfirmuan vendimin e Këshillit, dhe konstatuan paligjshmërinë e emërimit të Nikçit.

Ministria e Financave ka shpallur konkurs për Drejtor Ekzekutiv në Inspektoratin e Punës. Por, Nikçi po vazhdon ta mbajë pozitën e tij, pavarësisht konkursit.

Në një Email që e ka siguruar gazeta Nacionale, Hekuran Nikçi ka theksuar sërish se nuk do ta lëshojë pozitën. Madje, ka kërkuar që asnjë vendim të mos protokollohet pa e kontaktuar.

“Meqënëse po nxjerrën vendime të jashtëligjshme nga zëvendës kryeisneptori për Siguri në Punë, Agim Millaku, në cilësinë e ZKA të IQP, ju kërkoj që asnjë vendim të mos e protokolloni pa më njoftuar paraprakisht”, thuhet në Emailin e Hekuran Nikçit.

Nacionale ka siguruar informacione se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës Civil ka dërguar një letër/vendim në Inspektoratin e Punës, ku kanë theksuar se nuk e njohin Hekuran Nikçin si Kryeinspektor. Sipas burimeve të Nacionales, Këshilli komunikimin e ka vazhduar me zv/kryeinspektorin, Agim Millaku.

Pas vendimit të Gjykatës Supreme, Ministria e Financave ka shpallur konkurs për pozitën e Drejtorit Ekzekutiv në Inspektoratin e Punës. Megjithatë, për asnjë moment nuk e kanë respektuar vendimin e Gjykatave lidhur me paligjshmërinë e gjithë këtij procesi.

Konkursi për këtë pozitë do të jetë i hapur deri më 15 janar 2025.

Kjo situatë ka përfunduar me një ‘hallakamë’. Tri Gjykata kanë vlerësuar se një Kryeinspektor u emërua paligjshëm. Këshilli Civil nuk e njeh Kryeinspektorin. Zëvendës-kryeinspektori e obligon Hekuran Nikçin t’i dorëzojë mjetet e punës, dhe ky i fundit refuzon. Ministria e Financave shpall konkurs në kërkim të drejtorit të ri, pa e respektuar vendimin e Gjykatave.

Nacionale tash e disa ditë ka kontaktuar me Ministrinë e Financave por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje. Përgjigje nuk ka kthyer as kryeinspektori Hekuran Nikçi pavarësisht tentimeve të përditshme për të kontaktuar me të.

Historiku i një vendimi që nuk u respektua nga Hekuran Murati

Katër muaj më parë, gazeta Nacionale ka publikua aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, i cili kishte rrëzuar ankesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, me të cilën kontestonte vendimin Këshilli të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës(KPMShCK) për emërimin e Kryeinspektorit të Punës.

Në këtë mënyrë, kjo gjykatë kishte konfirmuar përfundimisht vendimin e KPMShCK-së se emërimi i Hekuran Nikçit në pozitën e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës ka qenë i kundërligjshëm.

Në aktgjykimin e Apelit, të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale, refuzohet si e pa bazuar ankesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

Aktgjykimi në fjalë tregon se mbetet në fuqi aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i cili e vlerësonte si të drejtë vendimin e KPMShCK-së.

“Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, A.nr.1892\2022, të datës 14.04.2023, është refuzuar si e pabazuar kërkesëpadia e paditësit Ministria e Financave, Punës dhe Transferve, kundër të paditurës Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, me të cilën ka kërkuar të anulohet vendimi i të paditurës A.nr.50\2022”, është thënë në vendimin e Gjykatës se Apelit.

Dy muaj më parë Nacionale raportoi se edhe Gjykata Supreme konfirmoi vendimin fillestar.

Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfervem nuk ishte pajtuar asnjëherë me vendimin e KPMShCK-së, i cili kishte konstatuar se emërimi i Hekuran Nikçit nuk ishte bërë në përputhje me ligjet e Kosovës.

Vendimin në fjalë, ministria e Hekuran Muratit e kishte sfiduar në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Më 27 prill të vitit të kaluar, kjo gjykatë kishte vendosur që të hidhet poshtë si e pabazuar kërkesëpadi e Ministrisë së Financave, ku kërkohej të anulohet vendimi i Këshillit për pozitën e Kryeinspektorit të Punës.

“Refuzohet si e pabazuar kërkesëpadi e paditësi Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, kundër të paditurës Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, me të cilën ka kërkuar të anulohet vendimi i të paditurës A.nr.50-2022”, ishte thënë në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, të cilin e kishte publikuar gazeta Nacionale.

Më 25 maj të vitit të kaluar, me propozim të Ministrisë së Financave, Qeveria e Kosovës, kishte emëruar Kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi.

Pas një Monitorimi të Jashtëzakonshëm në Ministrinë e Financave, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kishte konstatuar se emërim është bërë në kundërshtim më ligjin në fuqi për Zyrtarët Publik.

Sipas vendimit të Këshillit, për këtë pozitë nuk ishte shpallur fare konkurs publik, i cili kërkohet me Ligjin për Zyrtaret Publik.

Këshilli kishte konstatuar se pozita e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës hyn në kategorinë e pozitave të nivelit të lartë drejtues në kuadër të shërbimit civil, dhe si e tillë i nënshtrohet regjimit juridik të Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Tani Qeverisë së Kosovës nuk i mbetet rrugë tjetër vetëm se të respektojë vendimet e katër nivele gjyqësore, të cilat kanë konstatuar se emërimin e Hekuran Nikçit në pozitën e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit