Ekspertë të Komisionit Parlamentar për hetimin e menaxhimit të stafit diplomatik u përballën e plot befasi kur pranuan 1202 faqe të dokumenteve nga Ministria e Jashtme.
Ata nuk po dinin se çka të hetonin përpara.
Pasi i hapën ato, e kuptuan se MPJD nuk i dha krejt dokumentet e nevojshme. U fshehën nga hetimi sidomos ato që lidheshin me mënyrën e emërimit të zyrtarëve nëpër pozita udhëheqëse ose si ushtrues detyre, raporton Klan Kosova.
E në raportin që e morën nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për shërbyesit civilë, gjetën që transferet me diplomatë u bënë nga zëvendësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të MPJD-së, që është jokompetent për diçka të tillë.
Për ata që u transferuan, nuk u tregua nëse janë të arsimuar e me përgatitje profesionale për atë vend pune.
Mbyllje hermetike, Ministria zgjodhi të bëjë për të punësuarit me kontratë mbi vepër.
MPJD heshti edhe për kërkesën e ekspertëve në lidhje me pagat e diplomatëve, që rrjedhimisht, nuk u hetuan. S’u dha asnjë informatë as rreth 6 vendimeve për emërimin e këshilltarëve të jashtëm sikur që nuk u kallëzua kush nga këta ku është tashti.
Krejt pak u tregua për menaxhimin me stafin diplomatik, pasi Ministria e dha dosjen veç për shkëputjen e kontratës së punës dikujt, që shërbeu në Panama.
Nuk u zbardh gjë as për konkursin e 2011, ndonëse ministrja Donika Gërvalla i kishte shkarkuar 10 zyrtarë të Shërbimit të Jashtëm, të cilët, sipas saj ishin punësuar atëherë pa iu nënshtruar procedurave të rregullta të pranimit.
Jo pak emra u përmenden edhe kur erdhi puna te komisioni i gradimit. Për dikë u tha se nuk avancoi duke kaluar nëpër këtë trupë. Ndonjë tjetër nuk mori fare përgjigje për gradim.
Këto të dhëna nga Raporti i Ekspertëve të komisionit hetimor, të cilin e ka siguruar televizioni Klan Kosova, por edhe dokumente tjera, janë dorëzuar të premten në Prokurorinë Speciale nga deputetë opozitarë. /Klankosova.tv