Ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Antonio Tajani, u zgjodh të shtunën kryetar i partisë konservatore “Forza Italia”, e cila është themeluar para 29 viteve nga miliarderi që vdiq muajin e kaluar, figura e famshme e politikës italiane, Silvio Berluskoni.
Kryediplomati 69-vjeçar u zgjodh në mënyrë të njëzëshme nga këshilli kombëtar i partisë. Ai ballafaqohet me detyrën e vështirë për ringjalljen e forcës së një partie, përkrahja publike për të cilën kishte qenë në rënie me vite para vdekjes së Berluskonit, raporton agjencia “Reuters”.
Tajani ka kaluar një pjesë të madhe të karrierës së tij jashtë Italisë, duke shërbyer si komisionar evropian në Bruksel dhe si kryetar i Parlamentit Evropian. Atij i mungon karizma e paraardhësit dhe nuk është në mesin e politikanëve më të popullarizuar në Itali.
“Po pranoj një trashëgimi pothuajse të pamundur. Nuk është lehtë që të udhëhiqet një lëvizje politike që e ka pasur Silvio Berluksonin për kryetar për gati 30 vjet”- tha Tajani në një tubim të përfaqësuesve të partisë në Romë, pranë një fotografie të madhe të Berluskonit.
Partia “Forza Italia” është pjesë e koalicionit qeveritar të kryeministres djathtistie, Giorgia Meloni, bashkë me Lidhjen e Mateo Salvinit.
“Ne duam të jemi qendra e qendrës së djathtë”- tha Tajani, i cili është në postin e ministrit të Punëve të Jashtme që nga ardhja në pushtet e qeverisë së re në tetorin e vitit të kaluar.
“Ne jemi ndryshe nga aleatët tanë dhe nuk synojmë që të heqim dorë nga identiteti ynë”- shtoi ai.
Sipas anketave të fundit, përkrahja për partinë “Forza Italia” është në nivelin prej rreth 7 për qind, Lidhja ka rreth 10 për qind, ndërsa partia e kryeministres Meloni afro 30 për qind.