Një delegacion sirian, i udhëhequr nga ministri i ri i Punëve të Jashtme, Asaad Hassan al-Shibani, arriti të mërkurën në Riad të Arabisë Saudite.
Lajmin për vizitën e dha agjencia shtetërore siriane e lajmeve, SANA, duke cituar një burim të Ministrisë së Jashtme, raporton agjencia “Reuters”.
Kjo është vizita e parë zyrtare jashtë vendit e kryediplomatit të ri sirian, i cili është emëruar pas rrëzimit të ish-presidentit Bashar al-Assad përmes një ofensive të shkurtër por të suksesshme të rebelëve, transmeton nacionale.
Pjesë e delegacionit që ka shkuar në Arabinë Saudite është edhe ministri i ri i Mbrojtjes, Murhaf Abu Qasra, thuhet në raport.
Vizita e delegacionit të lartë ndodh më pak se një muaj nga ardhja e rebelëve në pushtet. Ata hynë në Damask më 8 dhjetor, ndërsa Assadi iku në Rusi, ku raportohet se i është dhënë azil.
Rrëzimi i Assadit nga pushteti i gjatë autoritar është cilësuar si goditje e rëndë ndaj ndikimit rus dhe iranian në rajon.