Eurodeputeti kroat Davor Stier (HDZ) u zgjodh kryetar i delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën.
Në deklaratën e tij, Stier thekson se do t’i kushtojë vëmendje të veçantë perspektivës evropiane të dy vendeve dhe reformave që do të duhet të zbatohen në rrugën drejt BE-së.
Si kryesues i delegacionit të Parlamentit Evropian, Stier do të bashkëkryesojë komisionet e përbashkëta parlamentare: Komisionin Parlamentar për Stabilizim dhe Asociim të BE-BeH dhe Komitetin Parlamentar për Stabilizim dhe Asociim të BE-Kosovë.
“Pas marrjes së statusit të kandidatit, BeH tani ka mundësinë të arrijë dhe të përmbushë agjendën e reformave, e cila është në interes të popujve përbërës dhe qytetarëve të BeH dhe të vetë Bashkimit Evropian”, tha Stier dhe njoftoi se synon të mbajë një seancë të komisionit të përbashkët parlamentar që në fillim të muajit të ardhshëm.
Ai po ashtu ka paralajmëruar se do të punojë për perspektivën evropiane të Kosovës.
“Paqja, siguria, dialogu dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, mbrojtja e të drejtave të pakicave dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, si dhe zbatimi i rendit kushtetues në gjithë territorin e Republikës së Kosovës do të jenë çështje prioritare në punën e përbashkët”, tha Stier.
Ai shton se sfidat gjeopolitike me të cilat përballet BE-ja kërkojnë një angazhim më të fortë në Evropën Juglindore dhe se në këtë drejtim, stabiliteti dhe siguria në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë janë të një rëndësie vendimtare për të gjithë kontinentin.