Në Kroaci po mendojnë edhe që të ngrihet padi kundër Shqipërisë për shkak të mbeturinave që u transferuan para pak ditësh në rrugë detare drejt brigjeve të Dubrovnikut.
Kjo tezë është ngritur në mbledhjen e këshillit bashkiak të qytetit bregdetar kroat nga këshilltarja dhe njëkohësisht avokatja Viktorija Knezeviq.
“Pas një studimi të plotë të situatës, përgjigjja është se teorikisht mundemi, por praktikisht është shumë e vështirë të kemi sukses, gjë që nuk do të thotë se duhet të heqim dorë nga idea nëse asgjë tjetër nuk ndihmon. Pyetja më e rëndësishme tani është se çfarë tjetër mund të bëjmë për të ndaluar përsëritjen e fenomenit të plazheve tona të mbushura me mbeturina“, tha Viktorija Knezeviq.
Ajo ka theksuar se Konventa e Barcelonës i detyron të gjitha vendet mesdhetare, përfshirë Shqipërinë, të marrin masa që të zvogëlojnë sasinë e mbeturinave që përfundojnë në det.
Kroacia mund të kërkojë po ashtu që Adriatiku jugor të shpallet zonë prioritare në këtë drejtim.
“Shqipëria është në procesin e negociatave të anëtarësimit në BE, gjë që i jep Kroacisë një mjet të fuqishëm për të kërkuar rezultate konkrete dhe të matshme në mbrojtjen e Adriatikut nga mbetjet. Ekziston një projekt kroato-shqiptar me UNDP-në që mund të zgjerohet për të përfshirë grykëderdhjet e lumenjve dhe vendgrumbullimet problematike të mbetjeve“, tha Knezeviq.
Sipas saj, ajo që del në plazhe përbën vetëm rreth 20 për qind të totalit të mbeturinave, pasi rreth 80 për qind e mbetjeve “shetitëse” fundosen në shtratin e detit.
“Ajo që pamë është vetëm maja e ajsbergut dhe barra e vërtetë mjedisore mbetet nën det, ku ne me sy të lirë nuk mund ta shohim, por ekosistemi ynë, peshkatarët, turizmi dhe shëndeti detar vuajnë pasojat“, shtoi ajo.
Knezeviq thekson se ka modele bashkëpunimi për përballimin e situatës me mbetjet që kanë pasur sukses tashmë në Detin Baltik, ku vendet fqinj kanë arritur të zvogëlojnë në mënyrë drastike sasinë e mbeturinave në bregdet përmes një plani të përbashkët veprimi./tvklan/






