Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kanë dënuar ashpër dhunën e forcave paramilitare terroriste në veri të Kosovë dhe faktin që Beogradi po i shndërron ato “në heronj”. Kroacia dhe Shqipëria i kanë kërkuar Bashkimit Evropian masa kundër Serbisë, raportoi Radio Televizioni i Kroacisë.
Rama në një konferencë për media gjatë vizitës së tij zyrtare në Zagreb tha se “agresioni me forca paramilitare është po aq shqetësues sa është edhe reagimi i Beogradit”.
“Kemi një krim, vrasjen e një oficeri policie dhe heronjëzimin e atyre që e kryen”, tha Rama, duke theksuar se kjo nuk duhet të jetë e pranueshme në Europën që ka vlera të kundërta.
Plenkoviq theksoi se “këto lëvizje nuk mund të mbeten pa përgjigje” dhe se “vendimi i Beogradit për shpalljen e ditëve të zisë pothuajse nënkupton identifikimin me atë që ka ndodhur”.
Plenkoviq gjithashtu njoftoi se do të ketë “hetim për të përcaktuar plotësisht se çfarë ka ndodhur”, pas së cilës i dërguari special i BE-së për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Miroslav Lajçak, do të propozojë masa.
Plenkoviq u shpreh se është “i sigurt se masat ndaj Serbisë do të miratohen” dhe Rama bëri thirrje që ato “të zbatohen pa humbur kohë”, sepse “vendimi i Beogradit në ditën e zisë nuk lë vend për interpretim tjetër”.