18.1 C
New York
Sunday, May 4, 2025

Buy now

Kriza politike në Kosovë, nevoja për konsensus dhe riorientim kombëtar

- Advertisement -

Shkruan: Prof. Dr. Dr. Halil Krasniqi, politika i partisë së pamvarur politike (FWV), Gjermani

Shteti i jonë i çmuar Republika e Kosovës, edhe pas më shumë se njëzet vitesh nga çlirimi dhe më shumë se një dekadë nga shpallja e pavarësisë, vazhdon të përballet me kriza të vazhdueshme politike që kanë penguar funksionimin normal të shtetit, konsolidimin demokratik dhe përparimin e qëndrueshëm drejt integrimeve euroatlantike.

Me çartësi të plotë, problemet politike të Kosovës janë të natyrës strukturore dhe funksionale. Mungesa e konsensusit për çështje të interesit të përgjithshëm, përçarjet e thella ndërmjet partive politike, mungesa e stabilitetit institucional dhe përkeqësimi i dialogut me Serbinë kanë krijuar një klimë pasigurie politike dhe sociale. Kjo situatë ka ndikuar drejtpërdrejt në ngecjen e reformave dhe në besimin gjithnjë e më të ulët të qytetarëve në institucionet shtetërore.

Një nga problemet më të mëdha që e rëndon sistemin ton politik është partizimi i skajshëm i institucioneve publike, ku meritokracia dhe profesionalizmi shpesh zëvendësohen nga përkatësia politike.

Ky fenomen e ka dekurajuar pjesëmarrjen e elitave të mirëfillta intelektuale dhe profesionale në jetën publike.
Ndërkohë, dialogu me Serbinë, i cili është kyç për përmbylljen e shtetësisë së plotë të Kosovës në skenën ndërkombëtare, vazhdon të jetë i paqëndrueshëm dhe shpesh i instrumentalizuar për qëllime të brendshme politike. Mungesa e një strategjie afatgjate, transparente dhe të unifikuar kombëtare në këtë drejtim, ka dobësuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe ka krijuar terren për ndërhyrje të palëve të treta. Këtë nuk dëshiron asnjë qytetar i Kosovës.

Në këtë sfond të ndërlikuar, është e domosdoshme që klasa politike e Kosovës të kalojë nga retorika e konfrontimit në një fazë të re të bashkëpunimit institucional dhe pajtimit politik të brendshëm. Zgjidhja e mundshme duhet të jetë:

Formimi i një platforme kombëtare të unitetit politik dhe shtetformues

1. Thirrja e një forumi kombëtar për konsensus shtetëror, ku të përfaqësohen të gjitha partitë parlamentare dhe jo-parlamentare, shoqëria civile, akademia dhe diaspora, me qëllim që të hartohet një platformë unike për çështjet kyçe, si reforma zgjedhore, reforma në drejtësi, politika e jashtme dhe dialogu me Serbinë.
2. Formimi i një këshilli të pavarur të shtetformimit, me figurat më të respektuara dhe të paangazhuara politikisht, që do të ketë rol këshillimor dhe monitorues ndaj institucioneve për të siguruar transparencë dhe profesionalizëm në vendimmarrje.
3. Hartimi i një marrëveshjeje të përbashkët politike për çështje të pakthyeshme kombëtare, ku çdo forcë politike zotohet që çështje si statusi i Kosovës, integriteti territorial dhe integrimi euroatlantik të mos përdoren më për përfitime politike afatshkurtra.
4. Riorientimi i dialogut me Serbinë, nga një proces i mbyllur dhe i politizuar, në një proces të hapur, të monitoruar nga Kuvendi dhe i mbështetur nga ekspertë të pavarur juridikë dhe diplomatikë.

Kosova ka nevojë për liderë që punojnë përtej mandatit të tyre politik, për gjenerata që nuk rriten më në krizë, dhe për institucione që nuk janë të kapura, por të ndërtuara mbi profesionalizëm dhe ndershmëri. Vetëm përmes një kulture të re politike dhe një orientimi të përbashkët strategjik, Kosova mund të tejkalojë krizën aktuale dhe të ecë drejt një të ardhmeje të qëndrueshme, të barabartë dhe me dinjitet ndërkombëtar.

Të ngjashme

Të fundit