24.3 C
New York
Monday, July 14, 2025

Buy now

Kriza në Kuvend dhe të drejtat e serbëve, temat e diskutimit mes Hanrahanit dhe politikanëve

- Advertisement -

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi, anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Hykmete Bajrami dhe përfaqësues të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – janë takuar në pasditen e së dielës me diplomatin e Zyrës së Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatke, Brendan Hanrahan.

Hanrahan është zyrtari më i lartë i administratës së re amerikane që viziton Kosovën.

Krasniqi ka thënë se me Hanrahanin ka diskutuar për zhvillimet në Kosovë e përtej dhe ka theksuar përkushtimin e partisë së tij për bashkëpunim politik dhe zgjidhje në të mirë të qytetarëve.

“Biseduam për domosdoshmërinë e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër, si dhe për rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Krasniqi përmes një postimi në Facebook.

Hykmete Bajrami ka thënë se në takim me Hanrahanin ka folur për krizën institucionale në Kosovë – referencë për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Deputetët mblidhen prej 15 prillit në tentim për të konstituuar Kuvendin pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, mirëpo nuk arrijnë të gjejnë kompromis për situatën e krijuar.

Bajrami ka thënë se LDK-ja qëndron në anën e zgjidhjeve që forcojnë institucionet, ruajnë demokracinë dhe mbi të gjitha i shërbejnë interesit shtetëror.

“Ndava propozimin e LDK-së për një qeveri kalimtare, që do të mundësonte tejkalimin e bllokadës dhe kthimin e vendit në normalitet institucional deri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2026, si dhe shpreha gatishmërinë për të diskutuar edhe modele të tjera gjithëpërfshirëse që sjellin stabilitet”.

Situata është bllokuar në Kuvend pasi PDK, LDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formim të një komisioni për votim të fshehtë, me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit është jokushtetuese.

Lëvizja Vetëvendosje – fituesja e më së shumti votave në zgjedhjet e 9 shkurtit – kërkon që për Albulena Haxhiun – të propozuar për kryeparlamentare – të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, ajo do të tërhiqet nga gara.

Ajo nuk i ka siguruar votat e nevojshme në disa seanca radhazi që janë mbajtur me votim të hapur. Për disa parti, ajo është figurë përçarëse dhe e papranueshme.

Ndonëse gjykata e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim, ajo nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh tutje nëse partitë nuk merren vesh deri atëherë.

Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë thënë përmes një komunikate se në takim kanë diskutuar me zyrtarin amerikan për ato që i kanë cilësuar ”veprime të njëanshme të përditshme të institucioneve në Prishtinë, të cilat e përkeqësojnë më tej situatën e brishtë të sigurisë dhe cenojnë të drejtat themelore të popullit serb”.

Megjithatë, ata nuk kanë përmendur diçka specifike kur kanë folur për cenimin e të drejtave të komunitetit serb.

Një ditë më parë, diplomati amerikan është takuar edhe me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti në rezidencën e të ngarkuarës me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati.

Përmes një komunikatë për media, Zyra e Kryeministrit ka thënë se palët kanë diskutuar për marrëdhëniet biletarale mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleat i palëkundur për vendin tonë dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre”, është cituar të ketë thënë Kurti sipas komunikatës.

Para Kosovës, Hanrahan ka zhvilluar vizita edhe në Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë.

Në nisje të vizitës, ai ka thënë se pret me padurim përforcimin e lidhjeve në mes të Shteteve të Bashkuara dhe shteteve të rajonit të Ballkanit. /REL

Të ngjashme

Të fundit