-1.7 C
New York
Monday, January 6, 2025

Buy now

Kriza e kostos së jetesës: Dështimi katërvjeçar i qeverisë Kurti në menaxhimin e inflacionit

- Advertisement -

Tregtarët u akuzuan për përfitim nga kriza, opozita u cilësua si pengesë për zgjidhjen e saj, ndërsa Gjykata Kushtetuese u shndërrua në shënjestrën kryesore të sulmeve të ashpra. Një qasje e tillë, përmbledhtazi, e përkufizoi qeverinë, e cila gëzonte mbështetjen e mbi pesëdhjetë përqindëshit, në një kohë kur vendi po përjetonte një inflacion të paprecedentë në dekada.

Brenda një periudhe të shkurtër, çmimet e mallrave esenciale u rritën me mbi 50 për qind, ndërsa inflacioni i përgjithshëm përgjatë katër viteve arriti në 22 për qind, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Në vitin e fundit të Qeverisë Kurti, 44 për qind e familjeve raportuan se blejnë më pak produkte ndërsa shpenzojnë më shumë, sipas një ankete të publikuar nga UNDP në shkurt 2024. Ndërsa çmimet e produteve kërcënonin mirëqenien e familjeve me të ardhura të ulëta, qeveria Kurti u akuzua për indiferencë ndaj krizës.

Nga ana tjetër, pretendimet e përsëritura të Kurtit se Kosova zbatoi pakon më të madhe mbështetëse në rajon në raport me BPV-në pati efekte minimale në zbutjen e krizës, sipas raporteve ndërkombëtare.

Vlerësimi i Bankës Botërore për vitin 2022 pikturoi një pamje të zymtë të skemave të asistencës sociale të Kosovës, duke i përshkruar ato si “të ngurta” dhe kryesisht joefektive në adresimin e krizës. “Pavarësisht niveleve të larta të shpenzimeve për mbrojtjen sociale, skema e ndihmës sociale është e ngurtë dhe mund të ofrojë vetëm mbrojtje të kufizuar.”

Madje, raporti theksonte se ishte pikërisht inflacioni i lartë që ndaloi rrugën e Kosovës drejt rimëkëmbjes së madhe paspandemike të vitit 2021, vit në të cilin Lëvizja Vetëvendosje nisi udhëheqjen me një rritje prej 16.32 për qind të Bruto Produktit Vendor gjatë tremujorit të dytë.

Përpjekja legjislative e qeverisë për të trajtuar krizën, ligji i shumëtrumbetuar për “Masat e Përkohshme për Produktet Bazë në Raste të Destabilizimit të Tregut”, u shpall jokushtetues pas kontestimit nga opozita.

Interpretimi i Kushtetueses nxorri në pah tendencën e rrezikshme të qeverisë për ndërhyrje direkte – pa mekanizma të paraparë – në ekonominë e tregut të lirë.

Ish-kryetarja e Gjyatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani shpjegoi ditë më parë në “Rubikon” se arsyeja pse ky ligj është shpallur jokushtetues është për faktin se Kushtetuta e Kosovës shprehimisht përcakton se “Republika e Kosovës ka për detyrë që të themeloj organe të pavarura për rregullimin e tregut në mbrojtje të interesit publik”.

Ndërkohë që gjatë këtyre katër viteve të fundit, Agjencia e Statistikave të Kosovës vazhdimisht raportonte për nivele dyshifrore të inflacionit, para disa vitesh Kurti kritikoi qeveritë e mëparshme për “inflacion 2 për qind”, rritje që në atë botë, sipas tij, ishte jashtëzakonisht e lartë.

“Thonë rritja ekonomike gati 4 për qind. Por inflacioni e ki mbi 3 për qind. T’ka ra numri i të punësuarve. T’u kanë rrit çmimet. Ikin njerëzit.”- deklaronte Kurti para 5 viteve.

Madje, Lëvizja Vetëvendosje e konsideronte alarmant inflacionin e 3.4 për qind të vitit 2019 duke shkruar se “kjo është shkalla më e lartë në një muaj që nga muaji janar 2013”. /Nacionale/

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit