Shkruan: Albert Prenkaj
Një kiks në vendimmarrje sjell amulli në komunikime diplomatike dhe reagime publike.
Habit fakti se Komandanti i KFOR-it, gjeneral Enrico Barduani, ka marrë parasysh kërkesën e një të vetëquajture “qeveri në detyrë” për të dërguar njësitin e kërkim shpëtimit të FSK-së për trajtimin e rastit të të mbyturit 33-vjeçar në liqenin e Ujmanit.
FSK është strukturë autonome e cila kryen funksionet e saja ditore dhe në bashkëpunim me KFOR-in mund të kryejë aktivitetet e saja në tërë territorin e saj në bashkëpunim me KFOR-in, edhe në kushte të mungesës së një qeverie legale dhe legjitime.
Nëse dëshiron të kultivojë relacione me institucionet e Kosovës, Com KFOR ka mundësi të komunikojë me Presidencën si komandant i FSK-së në mënyrë që të respektohet hierarkia institucionale, por jo me të vetëquajtur ministër.
Deklaratat e z. Maqedonci për suksesin e FSK-së në rastin e nxjerrjes së viktimës nga liqeni shkaktuan reagime të ambasadorëve të akredituar në Kosovë.
Fillimisht, deklarata e ambasadorit të Gjermanisë, z. Rohde e pasuar nga ambasadori i Francës nxorën tone kritike në drejtim të deputetëve të certifikuar nga KQZ të së ashtuquajturës “qeveri në detyrë”. Kritikë e ashpër që në diplomaci konsiderohet tonalitet i lartë dhe tejet serioz në marrëdhëniet në mes shteteve.
Pasuan prononcimet e Ambasadës së Britanisë së Madhe e cila paraqiti pozicionin e saj/shtetëror me tonalitet të lavdërimit të angazhimit të KFOR-it dhe FSK-së, Policisë dhe EULEX-it, si dhe Ambasada e Italisë e cila lavdëroi angazhimin e KFOR-it dhe komandantit që vjen nga radhët e Ushtrisë Italiane, por jo dhe FSK-në.
Në relacionet diplomatike të kodifikuara përmes konventave, qartësisht rregullohet komunikimi diplomatik. Në momentin kur komunikimi diplomatik del jashtë kornizave konvencionale, atëherë bëhet fjalë për një gjendje të jashtëzakonshme. Në këto raste, përfaqësuesit e shteteve dërguese komunikojnë me publikun, në mungesë të autoriteteve legale dhe legjitime të vendit pritës. Dorën në zemër, në Kosovë në Presidencë është “inkubanti” mbajtësi/sja legale dhe legjitime e pozitës, pra presidentja Osmani, pranë së cilës janë dorëzuar kredencialet e ambasadorëve të vendeve dërguese. Për më tepër, presidentja është udhëheqëse e politikës së jashtme që është orientim i qartë për diplomatët e nivelit më të lartë përfaqësues se me kë duhet komunikuar, posaçërisht në këtë limbo politike, madje tashmë kushtetuese.
Vërehen ambasadorë të huaj në Prishtinë që në momentet e përfundimit të mandatit takojnë ish-ministra, sot deputetë të certifikuar të legjislaturës së 9-të të pa konstituuar. Humbje kohe!
Është e frikshme të përcillen reagime “interesante” me tonalitete revolucionare që i drejtohen ambasadorëve të huaj “… me shku në shtëpi” nuk janë origjinale. I kemi dëgjuar publikisht, po e ripërsëris, publikisht poashtu nga ish-ministrja Gërvalla-Schwarz, që konsiderohet blasfemi diplomatike. Këto deklarime kanë ndodhur si paralajmërime për përmbysje të sistemeve demokratike.
Deklaratat publike të ambasadorëve të vendeve që janë sponsorë të shtetit të Kosovës duhet të merren me seriozitet të shtuar, si qortime të skajshme publike të cilat mund të jenë të kushtueshme për Kosovën edhe pas Qeverisë Kurti 2 dhe grupacionit jo legal dhe jo legjitim të deputetëve të certifikuar nga KQZ që veprojnë jashtë kompetencave ligjore dhe kushtetuese si e vetëquajtur “qeveri në detyrë”.
Nuk dyshoj se tonalitetet e deklarimeve të ambasadorëve të akredituar në Kosovë do të lënë shenjë në marrëdhëniet në mes Kosovës dhe këtyre vendeve.
Në marrëdhëniet mes vendeve çdo gjë mbetet e regjistruar në memorie shtetërore dhe çdo komunikim ka kosto!
Albert Prenkaj – ish-ambasador i Kosovës në Itali