Radarët ua matin shpejtësinë automjeteve, e tjerët këtyre profesionalizmin.
Por, në disa raste as shoferët nuk dolën mirë para radarit, e as policët s’e kryen punën qysh duhet.
Inspektorati Policor i Kosovës, që mbikëqyri kolegët që patën para këtë mjet, konstatoi se dënimet nuk i dhanë sipas ligjit.
Veç kësaj në Raportin e inspektimit “Përdorimi i teknologjisë për matjen e shpejtësisë së lëvizjes së mjeteve në trafik” doli se ka edhe mospërputhje të të dhënave mbi shpejtësinë e matur dhe gjobën e shqiptuar, kryesisht më të ulët se sa duhej.
Nga kjo doli se të uniformuarit e trafikut rrugor nuk janë duke shfrytëzuar sa duhet mundësitë që ofrojnë pajisjet për shkak të hezitimit, apo edhe në mungesë gatishmërie për t’iu përshtatur punës me këto mjete të avancuara.
Me këto gjetje nuk po pajtohet një ish nënkolonel, Refki Morina i cili më shumë i la fajtor pajisjet se ish-kolegët.
Tutje Morina deklaroi se i sheh të mirëseardhura inspektimet e ngjashme, derisa tha se pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë shumë profesionist në punën e tyre.