25 maji është Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve të Zhdukur në botë. Në Kosovë, kjo ditë u shënua, duke kujtuar afro 140 fëmijë të zhdukur nga lufta.
Falë dëshmitarëve, Këshilli për Persona të Zhdukur ka informata të sakta mbi fëmijët që humbën gjatë asaj kohe.
“Më së shumti fëmijë të zhdukur ka Skenderaj, pastaj Drenasi, Suhareka, Mitrovica e Podujeva. Të gjitha komunat kanë mjaft, por më së shumti si rajon ka Drenica”, tha Ahmet Grajqevci, kryetar i këshillit.
Madje, disa prej tyre edhe dihet se janë vrarë, por eshtrat nuk iu kthyen kurrë në vendlindje.
“Në Suharekë, për shembull, i kanë fut me një kafene, i kanë vra bashkë me prindër dhe i kanë hip në kamion, me të cilin i kanë dërgu në Serbi me frigorifera, atje janë ende të zhdukur”, tha Hanëmshahe Ilazi, autore e librit “A vriten engjëjt?”.
Familjarët e të zhdukurve nga lufta e fundit thanë se iu ka kthyer një fije shprese se të dashurit e tyre do të gjinden, pas nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel mes Kosovës e Serbisë.