23.8 C
New York
Saturday, August 16, 2025

Buy now

Krimet e luftës ende gjykohen mbi bazë të një ligji të ish-Jugosllavisë

- Advertisement -

Krimet e luftës edhe më tej gjykohen mbi bazë të një ligji të ish-Jugosllavisë. Ish-prokurorja e krimeve të luftës, Drita Hajdari, shpjegon se si pas përfundimit të luftës, UNMIK-u nxori rregulloren 1999/24, duke e hequr dënimin me vdekje, në përputhje me standardet evropiane, gjë që edhe më tej krijon dilema dhe interpretime të ndryshme ligjore.

Ish-prokurorja speciale, Drita Hajdari ka shpjeguar se për krimet e luftës zbatohet ligji që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës, ndërkohë që Kodi Penal është ndryshuar disa herë. Megjithëse ligjet e reja parashohin dënime më të rënda, këto nuk mund të zbatohen për krimet e luftës së fundit. Ish-prokurorja speciale që ka hetuar krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, Drita Hajdari shpjegon se çfarë ndodhi tutje.

“Përfundimi i luftës na ka gjetur me këtë ligj, UNMIK-u, misioni ndërkombëtar menjëherë e ka nxjerrë një rregullore, e që ishte rregullorja 1999/24, me të cilën e hoqi dënimin me vdekje”, tha Hajdari.

Hajdari thekson që nevojitet një qëndrim i unifikuar, me qëllim të evitimit të mendimeve dhe qëndrimeve ndryshe.

“Disa gjyqtarë konsiderojnë që me heqjen e dënimit me vdekje është hequr edhe dënimi me 20 vjet burgimi, të cilin e konsiderojnë si një alternativë për dënimin me vdekje, për çka unë nuk pajtohem, sepse dënimi me burgim prej 20 vjetësh është përcaktuar si dënim më vete dhe është shqiptuar për veprat më të rënda penale, për të cilat gjykata ka konsideruar se nuk ka nevojë për dënim me vdekje”, tha ajo.

Sipas prokurores, Kodi Penal i Kosovës përcakton dënimin e përjetshëm, por nuk mund të zbatohet për kryerësit e krimeve përgjatë viteve 1998-1999.

“Ky dënim nuk mund të shqiptohet për krimet e kryera në vitet ’98-’99, e asnjë dënim tjetër më i rëndë se ky prej 20 vjetësh burgimi, sepse dënimi i përjetshëm nuk ka ekzistuar në kohën kur janë kryer këto krime”, tha Hajdari.

Sa u përket përvojave rajonale, konkretisht në Kroaci, dënimi me vdekje është hequr nga Gjykata Kushtetuese dhe ka mbetur në fuqi dënimi 20-vjeçar, ashtu si në Kosovë.

Të ngjashme

Të fundit