Shoqata “Krimet e Luftës në Gjakovë” deri me tani ka dorëzuar mbi katër mijë lëndë që përmbajnë dëshmi për krimet që kriminelët serb kanë kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Shkendije Hoda, kryetare e shoqatës në një intervistë për Gazetën Insajderi thotë se këto kallëzime penale përmbajnë dëshminë e dëshmitarëve që kanë qenë në vendin e ngjarjes dhe fakte të tjera që dëshmojnë për krimet që janë kryer kryesisht në territorin e Gjakovës.
Shoqata “Krimet e Luftës në Gjakovë” ka dorëzuar së fundi kallëzim penal në Prokurorinë Speciale (PSRK) kundër ish-komandantit të Brigadës 549 të Motorizuar dhe tash nënkryetar i Parlamentit të Serbisë, Bozhidar Deliq. Ky i fundit tashmë nënkryetar i parlamentit të Serbisë.
Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje edhe tek Prokuroria Speciale lidhur me procesin e hetimeve ndaj ketyre kallëzimeve penale të dorëzuara nga shoqata “Krimet e Luftës në Gjakovë”, por ende nuk kanë kthyer përgjigje.
Intervista e Shkendije Hodës dhënë Gazetës Insajderi
Insajderi: Sa kallëzime penale keni dërguar deri me tani si Shoqatë për Krime Lufte në Prokurorinë Speciale ?
Shkendije Hoda: Shoqata deri më tani ka dorëzuar mbi 4000 lëndë.
Insajderi: Ndonëse kanë qenë publike, a mund të na bëni një përmbledhje se çfarë përmbajnë këto dokumente- dëshmi që keni dorëzuar në prokurori?
Shkendije Hoda: Kallëzimet penale përbëjnë dëshminë e dëshmitarit i cili ka qenë në vendin e ngjarjes dhe është atakuar me kriminelin, përbën foton e kriminelit në kohën kur ai ka qenë në luftë dhe dukja sot, vendi ku qëndron.
Insajderi: Rreth 23 vite pas luftës, a pranoni ende dëshmi nga qytetarët në zyrën për mbledhjen e dokumenteve të krimeve të luftës në Gjakovë?
Shkendije Hoda: Ne vazhdojmë të pranojmë dëshmi të shumta nga dëshmitar në raste të ndryshme. Procedimi i një lënde të kallëzimit penal, kërkon kohë për shkak të marrjes në pyetje të dëshmitarëve, ku më pas Prokuroria duhet të ngreh padi për kryesin e krimit, andaj qytetari tashmë e ka kuptuar këtë procedurë.
Insajderi: Sa po janë bashkëpunues nga Prokuroria Speciale për shqyrtimin e këtyre dëshmive që ju po ua ofroni?
Shkendije Hoda: Ne jemi dhe janë bashkëpunues si Prokuroria po ashtu policia, presim ne shtator nje takim me shumë rëndësi, ku do të na konfirmohet deri ku ka arrit puna e këtyre kallëzimeve penale.
Insajderi: Shoqata juaj ka dorëzuar të martën kallëzim penal në Prokurorinë Speciale kundër Bozhidar Deliqit, ish-komandant i Brigadës 549 të Motorizuar gjatë luftës së Kosovës dhe tash nën-kryetar i Kuvendit të Serbisë, cilat janë pritshemrit e juaj lidhur me këtë rast?
Shkendije Hoda: Detyra e shoqatës është që ndaj Deliqit të dorëzojmë sa më shumë fakte, për procedurat dhe pritshmërinë është Prokuroria ku mundë të ju jep mësim humb të dhëna, ndërsa ne jemi optimist ndaj punës që po zhvillohet.