Home Lajme Kreu i LDK-së për Shyqri Nimanin: Sot ikja e tij na lë me trishtim

Kreu i LDK-së për Shyqri Nimanin: Sot ikja e tij na lë me trishtim

0
Kreu i LDK-së për Shyqri Nimanin: Sot ikja e tij na lë me trishtim

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, i ka shprehur ngushëllime familjes për vdekjen e akademik Shyqri Nimanit, i cili njihet si njëri nga themeluesit e departamentit të dizajnit grafik në Akademinë e Arteve në Prishtinë.

“Zonjës Samile, Adrianës, Norës, Albanit dhe Agonit ngushëllime për humbjen e madhe. Kosova humbi një njeri të madh. Të mburreni për bashkëshortin e babën që keni pasur”, tha Abdixhiku.

“Sot, ikja e tij na lë me trishtim; por përtej trishtimit një jetë e tërë kontribut e suksesi na shpërfaqet me emrin e tij. Pusho në paqe profesor. Të faleminderit për gjurmët e lëna në këtë kohë”, theksoi ai.

Abdixhiku i shpalosi disa kujtime të bukura nga takimi i fundit që kishte me të.

“E pimë kafen e pasdites bashkë. Më foli shkurt për 16 orët e dedikuara në shkrimin e Deklaratës së Pavarësisë. Më foli gjatë për jetën, të bukurën, të ligën, të shkuarën e të ardhmen. Më foli me plot pasion për antikën, artin e dizajnin. Me një shije humori të hollë, me një sjellje prej zotërie të rëndë, mes përvojës të pafundme e mendjehapjes së kohës, dukej se ishim moshatarë; veçse ai ishte një mësues me një jetë të tërë pas”, shtoi kreu i LDK-së.

“Folëm gjatë, teksa mes shkrimit më të bukur që kisha parë ndonjëherë, mora si dhuratë të fundit librat e tij. Ju ktheva sot atyre sërish. Më përcolli deri jashtë; s’futej brenda në banesë derisa s’u pamë. Ishte shkurt; muaji shkurt, por ishte ngrohtë. Ai e bënte secilin rreth tij të ndihej mirë me aq shumë ngrohtësi”, tha ai.

Akademik Shyqri Nimani, vdiq në moshën 82-vjeçare.

Për shkak të profesionalizmit të tij dhe karrierës së gjatë, atij iu besua që ta shkruajë me kaligrafi deklaratën e Pavarësisë së Kosovës e cila u shpall më 17 shkurt në Kuvendin e Kosovës.

Ai ishte edhe muzikant, artist vizual dhe njohës shumë i mirë i historisë dhe trashëgimisë kulturore.

Exit mobile version