![Kreu i FFK-së vlerëson punën e LRF të Prizrenit, komunat falënderojnë FFK-në për investimet Kreu i FFK-së vlerëson punën e LRF të Prizrenit, komunat falënderojnë FFK-në për investimet](https://gazetascanner.com/wp-content/uploads/2024/01/Screenshot_20240110_175309_Facebook.jpg)
Gjatë kësaj ceremonie me mirënjohje u nderuan edhe drejtorët për Kulturë, Rini e Sport të komunave të Prizrenit, Dragashit e Malishevës. Ata u shprehen tejet falënderues ndaj FFK-së për investimet e kryera në këto komuna, duke përfshirë investimet në ndërtimin e fushave të Lirisë, të Zhurit, Gjonajt, të Malishevës, të Dragashit dhe të Drinit të Bardhë, por edhe shumë projekte tjera në kuadër të memorandumeve me këto komuna. Bashkëpunimi ndërmjet FFK-së dhe komunave u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të futbollit dhe infrastrukturës sportive në këtë regjion.
Adem Morina, drejtor për Kulturë, Rini e Sport në Komunën e Prizrenit falënderoi presidentin e FFK-së për punën dhe theksoi se gjatë këtyre dy viteve të mandatit qeverisës të tyre në Prizren kanë arritur të bëjnë dy stadiume të futbollit në Gjonaj dhe Zhur, me kontributin e pamohueshëm të presidentit Ademi. Ai uroi që edhe në vitet në vazhdim ta kenë një bashkëpunim të tillë të frytshëm me FFK-në. Falënderime për kreun e FFK-së pati edhe Liridona Misinaj, drejtoreshë për Kulturë, Rini e Sport në Komunën e Dragashit, e cila theksoi se falë bashkëpunimit me FFK-në komuna e Dragashit po bëhet me dy stadiume futbolli. Edhe Fitim Shala, drejtor për Kulturë, Rini e Sport në Komunën e Malishevës shprehu mirënjohjen e tij për kreun e FFK-së, i cili theksoi se me punën dhe vizionin e tij po e mban gjallë futbollin në Kosovë, teksa e falënderoi edhe për investimin e përbashkët në stadiumin ‘Liman Gegaj’.
Kryetari i LRF Prizrenit, Mirsad Çollakaj, falënderoi presidentin Ademi për punën e tij, e sidomos kujdesin dhe investimet që ka bërë FFK-ja në këtë regjion, derisa më pas një nga një u ndanë mirënjohjet dhe çmimet për më të dalluarit e vitit në këtë regjion në të gjitha grupmoshat