Presidenti i Federatës së Izraelit, Oren Hasson, ka shtruar darkë për delegacionin e FFK-së, nënkryetarin Bakir Burri, anëtarin e KE-së, Mirsad Çollaku dhe sekretarin e përgjithshëm, Taulant Hodaj, si dhe delegatin e UEFA-s të ndeshjes së nesërme, Izrael – Kosovë.
Në një ambient të ngrohtë e tejet miqësor delegacionet e të dyja federatave shkëmbyen përvojat e tyre si dhe folën për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ndëmjet dy vendeve, duke pasur parasysh se tashmë Izraeli e njeh Kosovën si shtet.
Krerët e federatës izraelite vlerësuan lartë potencialin e ekipit tonë kombëtar, derisa u interesuan edhe për mënyrën e organizimit të ligave dhe aktivitetet e FFK-së. Ata njoftuan se atmosfera në stadium do të jetë shumë e mirë, duke pasur parasysh se janë shitur të gjitha biletat, e ku kapaciteti i stadiumit “Bloomfield” është rreth 30 mijë. Në fund, të dyja palët shkëmbyen dhurata dhe uruan njëra-tjetrën për lojë korrekte.