Merr pagë mujore prej më shumë se 4 mijë eurosh, dhe para të gatshme i ka rreth 250 mijë të tjera.
Por, Ardian Zallit i janë dashur edhe paratë e kursyera në Fondin e Kursimeve Pensionale, ku është drejtor. Aty i ka tërhequr mbi 16 mijë euro.
E këtë e ka bërë të ditur kur e ka deklaruar pasurinë për vitin 2021, formulari i të cilit, bashkë me të zyrtarëve të tjerë publikë, është publikuar sot.
Njëjtë ka vepruar edhe zëvendësi i tij, Vërshim Hatipi, i cili ka pagë përafërsisht të njëjtë, dhe mbi 175 mijë euro para të gatshme në banka. Nga Trusti ai ka tërhequr 11 mijë e 100 euro.
As zëvendësdrejtori tjetër, Agron Krasniqi, nuk e kishte lëshuar këtë mundësi të krijuar nga qeveria e kaluar. Kësisoj ai ka marrë edhe 12 mijë e 800 euro nga Trusti, ndërsa aktualisht i ka të gatshme rreth 35 mijë euro.
10 përqindshin e Trustit e kanë marrë edhe menaxheri Jeton Demi, dhe anëtarët e bordit, Behxhet Haliti e Valdrin Kasumaj.
Tërheqja e mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale po kërkohet sërish nga partitë opozitare, dhe një vendim pritet të merret të enjten në seancën e Kuvendit.
Por, qeveria dhe grupi parlamentar I Vetëvendosjes janë deklaruar kundër.