Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me krerët e shtetit, Presidenten e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu dhe Kryetaren e Kuvendit të Republikës, Albulena Haxhiu, të shoqëruar nga Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, mori pjesë në ceremoninë e ngritjes së Flamurit të Republikës së Kosovës, në shënim të 18-vjetorit të Ditës së Pavarësisë.
Në deklarimin e tij për media kryeministri Kurti u shpreh:
Kosova po rritet. Po rritet numri i viteve të pavarësisë. Po rritet numri i njohjeve të shtetësisë. Po rritet ekonomia e vendit. Po rritet mirëqenia e qytetarëve. Po rritet fuqia e shtetit. Para 18 vjetëve lindi Pavarësia e Republikës së Kosovës, por lindi e pjekur, meqenëse shumë breza të veprimtarëve, mbarë populli ynë me gjenerata të panumërta ka kontribuar dhe është sakrifikuar që ne të jemi të lirë dhe të pavarur, të kemi shtet demokratik dhe sovran. Sot festojmë, por njëkohësisht edhe nderojmë rezistencën paqësore, kryengritjet e armatosura, të cilat kulmuan me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gëzuar Pavarësia, 18-vjetori, dhe kremtofshim të gjithë bashkë për jetë e mot!






