Gjatë ditës së sotme është raportuar për një vdekje të dyshimtë të një 34-të vjeçare nga qyteti i Gjakovës.

Artila Kameri nga Gjakova u gjet e vdekur në afërsi të një hoteli në qytetin e Prishtinës.

Lidhur me këtë rast fillimisht janë deklaruar nga ana e Policisë së Kosovës.

Flora Ahmeti -zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës për lajmi.net  tha se rasti është iniciuar në stacionin policor në Graqanicë, kurse trupi i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

“Sot në stacionin policor të Graqanicës është iniciuar një rast hetim mbi vdekjen, ku viktimë është një femër 34 vjeç, vdekjen e së cilës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Aktualisht policia në koordinim me Prokurorinë ka nisur dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore që do të ndihmonin hetimin dhe sqarimin e rastit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion”, është shprehur Ahmeti.

Po ashtu lidhur me këtë rast janë deklaruar edhe nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, ka thënë  se rasti është iniciuar “hetim mbi vdekjen”.

Ajo tha se janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e rastit.

“Pas pranimit të informatës nga policia, prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes. Me urdhër të njëjtit trupi i pa jetë është dërguar në IML për t’iu bërë obduksioni, ndërsa rasti është iniciuar “hetim mbi vdekjen”. Prokuroria në koordinim me policinë është duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për t’i ndriçuar rrethanat e këtij rasti”, tha Ulaj.