Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka dalë të hënën para gazetarëve në konferencën për medie në ditën e parë të grumbullimit të Dardanëve, para dy ndeshjeve të fundit të ciklit kualifikues për Kampionatin Botëror 2026, kundër Sllovenisë dhe Zvicrës. Ai ka folur për përgatitjet, gjendjen e skuadrës dhe synimet për ndeshjet vendimtare të këtij muaji.
“Që në fillim të kualifikimeve kam thënë se grupi do të vendoset në ndeshjen e fundit. Dhe tani jemi pikërisht në atë situatë. Për ne gjithçka është e mundur. Tani fokusi ynë është të përqendrohemi te ndeshja e radhës kundër Sllovenisë. Aty duhet patjetër të marrim të paktën një pikë, që të sigurojmë pjesëmarrjen në ndeshjet e ‘play-off’-it. Më pas do të shohim tutje. Lojtarët janë aktualisht në një formë shumë të mirë. Edhe Amir Rrahmani ka luajtur sërish në ndeshjet e fundit për Napolin, po ashtu edhe Lumbardh Dellova. Të dy do të jenë sërish me ne, që do të thotë se kemi më shumë mundësi dhe më shumë alternativa. Shpresoj që të gjithë lojtarët të mbesin të shëndetshëm gjatë kësaj jave, në mënyrë që t’i kemi në dispozicion të gjithë për ndeshje”, ka thënë Foda.
Duke folur për mungesën e portierit Aro Muriq, i cili nuk do të jetë i gatshëm për shkak të pezullimit në ndeshjen e parë, përzgjedhësi ka thënë se “ekipi ynë ka treguar në ndeshjet e fundit kundër Sllovenisë dhe Suedisë se është në gjendje t’i përballojë mungesat”.
“Aro Muriq jo vetëm që ka zhvilluar ndeshje shumë të mira me klubin e tij, Sassuolo, por ka qenë gjithashtu shumë i rëndësishëm për ekipin tonë në ndeshjet e fundit. Megjithatë, ai nuk do të luajë për shkak të pezullimit. Për këtë arsye kemi ftuar katër portierë në këtë grumbullim, ku do të jenë edhe Maloku, Bekaj dhe Saipi. Njëri nga këta tre do ta zëvendësojë atë të shtunën dhe në ditët në vazhdim do të vendosim”, ka thënë Foda.
Sa i përket rikthimit të kapitenit Amir Rrahmani dhe gjendjes së tij, Foda është shprehur përcjellin gjendjen fizike të lojtarit. “Kemi parë që pas një pushimi prej dy muajsh për shkak të lëndimit ai është rikthyer dhe vetëm javën e kaluar ka zhvilluar tri ndeshje me Napolin. Tani do të shohim procesin e rigjenerimit të tij, në mënyrë që të përshtatet me ekipin dhe të jetë sa më i gatshëm për ndeshjet e ardhshme”, ka thënë Foda.
Më tutje, Foda ka folur edhe për Edon Zhegrovën, i cili po rikthehet gradualisht është duke u kthyer në formën e tij më të mirë.
“Sa i përket Zhegrovës, kemi parë që ai ka filluar të marrë më shumë minuta te Juventusi dhe kjo për ne është shumë e rëndësishme. Duam që ai të rikthehet në formën më të mirë të mundshme dhe duke qenë se ka filluar të ketë më shumë hapësirë te skuadra e tij, do të mundohemi që t’i sigurojmë më shumë minuta edhe me ekipin kombëtar”, ka thënë Foda.
Ndërkohë në komplimentet që ia ka bërë njëri nga gazetarët për rezultatet e ekipit në ndeshjet e fundit dhe nëse e kanë analizuar Slloveninë, ai është shprehur se janë duke punuar maksimalisht për rezultate pozitive.
“Faleminderit për urimin, por ende nuk e kemi arritur atë që e dëshirojmë. Për ne është shumë me rëndësi që në ndeshjen e radhës të triumfojmë dhe të shkruajmë histori duke u kualifikuar tutje. Ne e kemi analizuar lojën tonë kundër Sllovenisë, si edhe mënyrën se si Sllovenia ka luajtur kundër Zvicrës. Ata e kanë ndryshuar sistemin nga 3-4-3 në një formacion më defanziv, 5-4-1, dhe tani ne jemi më të përgatitur. Kemi më shumë mundësi te lojtarët, si Rrahmani, Dellova dhe Zabërgja. Jemi të përgatitur dhe duhet të përqendrohemi maksimalisht, sepse është shumë me rëndësi që të fitojmë të paktën një pikë dhe të sigurojmë kualifikimin në ‘play-off’”, ka thënë Foda.
Në pyetjen rreth Diant Ramajt dhe Arjon Ibrahimoviqit, nëse ka pasur interesim për ta, Foda ka thënë se i ka kontaktuar që të dytë.
“Në parim, është e rëndësishme të flasim për futbollistët që i kemi të grumbulluar dhe që aktualisht po luajnë për Kombëtaren e Kosovës. Megjithatë, për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, kemi pasur kontakt me lojtarët Ramaj dhe Ibrahimovic. Ibrahimovic tani është ftuar për Kombëtaren U21 të Gjermanisë, por nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen të luajnë për Kosovën, pasi jemi në kontakt. Por, tani duhet të përqendrohemi te futbollistët që janë këtu dhe në këto dy ndeshje që na presin, e të cilat janë shumë të vështira. Pastaj, shohim se si do të rrjedhin gjërat me këta dy futbollistë”, është shprehur Foda.
Në fund, përzgjedhësi Foda ka vlerësuar kundërshtarin e radhës, duke vënë në pah se ekipi është i motivuar dhe me vetëbesim të lartë.
“Sllovenia ka treguar se është një skuadër shumë e mirë dhe e fortë, gjë që e ka dëshmuar edhe në ndeshjen ndaj nesh në Kosovë. Ata janë të kompletuar në mbrojtje dhe këtë e kanë treguar edhe kundër Zvicrës. Është e vështirë t’u shënosh gol, sidomos kur luajnë si vendas, sepse janë shumë të mirë në të gjitha repartet dhe fazat e lojës. Ne jemi rikthyer të përgatitur dhe kemi një vetëbesim shumë të mirë, pasi jemi paraqitur si një ekip i bashkuar edhe në ndeshjet e kaluara. Kemi lejuar shumë pak mundësi që kundërshtarët të na shënojnë gola. Tani është momenti që edhe ne të tregojmë cilësitë tona në të gjitha fazat e lojës. E kemi dëshmuar edhe kundër Suedisë se jemi në gjendje të paraqitemi mirë dhe të arrijmë fitore edhe jashtë Kosovës, si mysafirë”, ka thënë Foda.
Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë ndeshjen e parafundit të ciklit kualifikues për Botërorin 2026 kundër Sllovenisë më 15 nëntor në Lubjanë, ndërsa tri ditë më vonë do të përballet me Zvicrën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në ndeshjen e fundit të këtij cikli kualifikues.






