Sulmi terrorist mbi policinë e Kosovës, përfshirja e nënkryetarit të Listës Serbe Milan Radojiçiq, ishin temë e diskutimit edhe në edicionin e sontëm të Rubikonit në Klan Kosova.
Sipas Albert Krasniqit, thirrjet për ta shpallur Listën Serbe si organizatë terroriste, janë të nxituara.
Krasniqi në Klan Kosova shpjegoi se cilat kritere duhet të përmbushen për ta bërë një gjë të tillë.
“Aktiviteti i një subjekti politik nuk mund t’i mohohet asnjë subjekti politik pa pasur sanksionim penal nga një gjykatë kompetente. Duhet të pasojnë edhe veprime të tjera të cilat e konfirmojnë, ky duhet të jetë një gjykim i hapur, fer dhe transparent, për të ardhur deri tek konkludimi që t’i ndalohet përfaqësimi politik, një subjekti politik”, tha Krasniqi.
“Dhe nuk duhet të jetë individual, për shkak se për veprime individuale nuk mund të sanksionohet një subjekt politik, por duhet të dëshmohet lidhja ose autorizimi që subjekti politik e ka pasur për t’u kryer këto veprime terroriste të cilat kanë ndodhur, theksoi ai.
Në orët e para të së dielës së 24 shtatorit, si pasojë e një sulmi të armatosur nga një grup terrorist, u vra polici Afrim Bunjaku.
Ai u varros të hënën në varrezat e fshatit Samadrexhë e komunësë Vushtrrisë.
Rreshter Bunjaku u shpall “Hero i Kosovës”, nga presidentja Vjosa Osmani.