Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, u shpreh i emocionuar teksa komentoi intervistën e fundit të ish-presidentit Hashim Thaçi, duke theksuar se ajo përmbante mesazhe të qarta dhe të vlefshme për të ardhmen e Kosovës.
“Edhe pas pesë vitesh në paraburgim, Thaçi tregoi dashuri të madhe për vendin dhe vizion të qartë politik,” tha Krasniqi.
“Ka qenë emocionuese me i dëgju me zë të tjetër kujt fjalët e presidentit Thaçi. Shumë prej atyre fjalëve i kam dëgjuar në takimet dhe vizitat që i kemi me të në Hagë, por besoj që ajo që e ka veçuar në atë intervistë është fakti që edhe gati 5 vite pa qenë prezent fizikisht pro duke u mbajtur në paraburgim, ai dha shumë dashuri për Kosovën dhe qytetarët, shpërfaqi një vizion krejtësisht racional dhe të mençur politikisht se çfarë duhet të bëjë Kosova sot. Pa e pasur involvimin direkt dhe me një distanca kohore në angazhimin publik, vërtetë pati shumë këshilla, të cilat secili politikan do të duhej t’i merrte parasysh e sidomos sa i përket pozicionit të Kosovës në ndryshimet gjeopolitike që kanë ndodhur”.
Ai theksoi se këshillat e Thaçit, veçanërisht për pozicionimin e Kosovës në zhvillimet gjeopolitike, duhet të merren seriozisht nga të gjithë politikanët.
“Shpresoj që qytetarët ta kenë parë dhe ta kenë vlerësuar sinqeritetin e jashtëzakonshëm të kësaj interviste,” përfundoi ai.