Në një postim në Facebook, profesori i njohur Milazim Krasniqi ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për tentativën e saj për të pezulluar certifikatën e Klan Kosovës. Ai e cilëson këtë veprim si një përpjekje për të mbuluar dështimet e shumta të Qeverisë, veçanërisht në lidhje me partnerët ndërkombëtarë.
Profesori Krasniqi e quajti përpjekjen e pushtetit jashtë logjikës. Ai thekson se në Kosovë ka media që mohojnë shtetin e Kosovës, por Qeveria nuk guxon t’i prekë ato. Sipas tij, ky sulm ndaj Klan Kosovës shihet si një politikë antishtetërore dhe antikombëtare.
Profesori gjithashtu argumenton se një nga arsyet e këtij veprimi është urrejtja e LVV dhe Kurtit ndaj kapitalizmit, iniciativës së lirë dhe konkurrencës. Ata synojnë të kontrollojnë institucionet, ekonominë dhe shoqërinë në përputhje me dogmat marksiste-trockiste.
Profesori Krasniqi paralajmëron se kjo tentativë nuk do të ketë sukses, por do të mbetet si shije e hidhur e synimeve të errëta të Qeverisë ndaj lirisë së medias. Ai thekson se kjo është një goditje e rëndë për gazetarinë, në një kohë kur gazetaria ka arritur shkallën më të lartë profesionale, morale dhe kombëtare në raportimin e saj nga zona e veriut të vendit.