Kryetari i dorëhequr i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se nuk e ka menduar kurrë se do të kishte një rrugëtim të tillë politik.
Në Rubikon të Klan Kosovës, ai ka folur për karrierën e tij politike si dhe për arsyet që çuan në largimin e tij nga drejtimi i PDK-së.
Krasniqi tha se shumë më e vështirë ka qenë dita e parë kur e ka marrë drejtimin e partisë, sesa dita kur hoqi dorë nga ajo.
“Pakrahasimisht ka qenë në ditën kur jam zgjedh kryetar. Ka qenë një nder i madh, besim i jashtëzakonshëm, pikërisht se ishte në një moment kur tani më vjen keq ta them, por ju e dini të gjithë, ka pasë njëfarë gjysmë shkapërderdhje brenda subjektit tonë, një mungesë të besimit të madh, kishim rezultat shumë të ulët në zgjedhjet parlamentare të 2021, kishim vetëm 5 komuna që udhëheqnim nga viti 2017, kishim përpara zgjedhjet lokale, dhe mua më duhej t’i kandidoja kryetarët për rreth 1 muaj prej kur e mora detyrën. Më duhej brenda një muaji të propozoja dhe zgjidhja një kryesi të re, dhe t’i jap një drejtim dhe vizion PDK-së”, tha mes tjerash ish-kreu i PDK-së.
Ai shtoi se pesha dhe barra ka qenë jashtëzakonisht e rëndë në atë kohë, por tha se u është mirënjohës të gjithë kolegëve që e kanë ndihmuar në këtë rrugëtim.
Megjithatë, ai tha se nëse krahasohen dita e parë me të fundit, “jo se ka qenë e lehtë kjo e sotmja, sepse e thash se ky vendim nuk ka të bëjë me lodhjen time, aspak, apo me ndonjë situatë zhgënjimi, përkundrazi”.
“Por kjo thjesht ka ardhur si rrjedhojë e një reflektimi më të gjatë, më shumë se një vit, sepse unë e kam pasur një objektiv dhe një qëllim të përgjithshëm, që PDK të rikthehet si faktor kryesor politik”.
“Normalisht se objektivi për t’i fituar zgjedhjet nuk ndodhi, por PDK u ritkthye te 200 mijë votëshi që e kishim gjithmonë, arritëm ndoshta rezultatin e dytë më të madh pa koalicione, garuam me Bedri Hamzën për kryeministër, që ishte propozim imi, dhe besimi që ai do të duhej të ishte njeriu që garon, me një listë që më shumë kemi pasur prurje të njerëzve që na janë bashkuar sesa krejt partitë tjera që kanë garuar bashkë”, tha Memli Krasniqi në Rubikon të Klan Kosovës.
Ndër të tjera, ai tha se pati dëshirë që të bëhej një qeveri e ish-partive opozitare, por tha se kjo nuk ndodhi.
“Pra, ishte një angazhim për ta kthyer PDK si forcën e paevitueshme politike, gjë që është evidente tani, dhe po ashtu për të rikthyer besimin e votuesve tanë tradicionalë dhe qytetarëve përtej nesh. Dhe kjo ka ndodhur. Por, objektivi im ka qenë që Hamza të jetë kryeministër i Kosovës. Megjithatë, ne për pak nuk e arritëm këtë gjë, nuk arritëm të bindim partitë e ish-opozitës të bashkohemi në një qeveri, përkundër që formalisht i kishim numrat. Në rast se kjo do të ndodhte, do t’i shpallja zgjedhjet e brendshme brenda partisë, i përmbushur, dhe nuk do të konkurroja për një mandat të ri”, u shpreh Krasniqi.






