Ish-kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, Dardan Krasniqi, ka vlerësuar se rezultatet e partive opozitare në zgjedhjet e fundit nuk reflektojnë potencialin e tyre të vërtetë.
Ai theksoi se Aleanca kishte bërë një fushatë të planifikuar mirë, por nuk kishte përgatitje për disa të papritura.
Krasniqi krahasoi aktivitetin e opozitës me ritmin e punës partisë fituese gjatë fushatës.
Sipas tij, Kurti zhvillon një program intensiv.
“Rezultati i zgjedhjeve jo vetëm i Aleancës, por i gjithë partive opozitare nuk është i pritshëm dhe me të vërtetë nuk është real. Me një planifikim e organizim të mirë, Aleanca kishte me pasur një rezultat shumë më të mirë, jo pse i kanë munguar përgatitjes dhe jo pse i kanë munguar listës. Mirëpo, fushata është planifikuar mirë, por kur hynë në fushatë duhet me qenë i përgatitur edhe për disa të papritura tjera”, deklaroi ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Krasniqi shtoi se me një planifikim të mirë dhe më shumë përgatitje, Aleanca kishte mundur të arrinte rezultate shumë më të mira në zgjedhje.
“Sikur Kurti të punonte me ritmin e fushatës si kryeministër do të kishim me pas rezultate më të mira në qeverisje. Kurti në orën 12:00 i jep një buxhet me lule një artisi, në orën 13:00 shkon e takon një personalitet ose një ish-zyrtar të LDK-së në Prizren, në orën 15:00 shkon e takon një familje të dëshmorëve në Klinë, në orën 17:00 shkon në një tubim në Gjilan, në orën 21:00 është në një dasmë, në orën 00:00 shkon në një tubim tjetër – gjë që kjo i mungon opozitës, sidomos Aleancës”, deklaroi Krasniqi






