Partia Demokratike e Kosovës ka shpallur sot kandidatët e saj për kryetarë të komunave për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, ndërkohë që disa kryetarë aktualë si Bedri Hamza (Mitrovicë), Ramiz Lladrovci (Drenas), Fadil Nura (Skenderaj), dhe Besim Ilazi (Kaçanik) nuk do të rikandidojnë.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka falënderuar dhe shprehur mirënjohjen për punën e këtyre liderëve lokalë, duke theksuar se, pavarësisht që nuk do të jenë më pjesë e garës, ata kanë udhëhequr me efikasitet dhe kanë përfaqësuar denjësisht vlerat e partisë.
“Kjo është Partia Demokratike e Kosovës që unë e njoh dhe e udhëheq: Një parti e dëshmuar në përfaqësim. E vendosur në qëllime. E përkushtuar në mision.
Në këtë frymë, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për kontributin e katër kryetarëve aktualë të komunave: Bedri Hamza (Mitrovicë), Ramiz Lladrovci (Drenas), Fadil Nura (Skenderaj) dhe Besim Ilazi (Kaçanik), të cilët nuk janë kandidatë në këto zgjedhje, por që kanë qeverisur me efikasitet dhe kanë përfaqësuar me nder vlerat e PDK-së.” – shkroi Krasniqi mes tjerash.