Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj politikave të qeverisë, duke theksuar se qytetarët po përballen me padrejtësi të hapura dhe vështirësi ekonomike për shkak të vendimeve të saj.
“Çmimet e artikujve bazë dhe të energjisë elektrike janë rritur kudo, por për veriun, që qeveria e quan të ‘çliruar’, nuk ka asnjë rritje të çmimeve të rrymës. Kjo është një ndarje e hapur mes qytetarëve dhe një padrejtësi e pastër”, ka deklaruar Krasniqi.
Ajo ka akuzuar qeverinë për veprime të pasinqerta dhe për një politikë ndëshkuese që po rëndon jetesën e qytetarëve.
“Sanksione, shtrejtime, mosnjohje dhe mosanëtarësime – për këto veprime do të mbaheni në mend. Mjaft më me këtë qasje, sepse qytetarët nuk janë fajtorë për paaftësinë tuaj”, përfundoi Krasniqi, duke kërkuar përgjegjësi nga qeveria për gjendjen aktuale ekonomike dhe sociale në vend.