Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, se e ka pranuar propozimin franko-gjerman.
Ai ka thënë se kryeministri Kurti e ka pranuar këtë propozim pa treguar asnjëherë për qytetarët se çka përmban ai propozim.
“Ai i dha drejtim një marrëveshjeje në fshehtësi, pa asnjë transparencë, duke lënë shumë pyetje pa përgjigje të cilat i brengosin qytetarët tanë. Ku mbetën kushtet e tij? Cilat prej tyre u plotësuan e cilat jo? A janë përfshirë në këtë plan edhe kushtet e Serbisë? A është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe a është pjesë e saj edhe themelimi i Asociacionit? Mbi të gjitha, a e përfshinë kjo marrëveshje njohjen e ndërsjellë?”, ka thënë Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Në fund ai shtoi se PDK i ka bërë të qarta kohë më parë pesë shtyllat që i presin nga marrëveshja potenciale me Serbinë.
“Gjithçka më pak është humbje e madhe për Kosovën, për të cilën, përgjegjës i vetëm do të jetë Albin Kurti”, ka thënë Krasniqi.
Postimi i plotë:
Kryeministri Kurti sot deklaroi se e ka pranuar propozimin Franko-Gjerman, pa shpjeguar asnjëherë për qytetarët e Republikës së Kosovës se çka përmban ai propozim. Kështu, ai i dha drejtim një marrëveshjeje në fshehtësi, pa asnjë transparencë, duke lënë shumë pyetje pa përgjigje të cilat i brengosin qytetarët tanë.
Ku mbetën kushtet e tij? Cilat prej tyre u plotësuan e cilat jo? A janë përfshirë në këtë plan edhe kushtet e Serbisë? A është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe a është pjesë e saj edhe themelimi i Asociacionit? Mbi të gjitha, a e përfshinë kjo marrëveshje njohjen e ndërsjellë?
PDK i ka bërë të qarta kohë më parë pesë shtyllat që i presim nga marrëveshja potenciale me Serbinë. Gjithçka më pak është humbje e madhe për Kosovën, për të cilën, përgjegjës i vetëm do të jetë Albin Kurti.