Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka përkujtuar sot veprimtarin dhe ushtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilir Konushevci, i cili u vra pabesisht 27 vite më parë, bashkë me Doktor Hazir Malaj.
“Para 27 vitesh u vra pabesisht njëri nga veprimtarët më të përkushtuar të lëvizjes për çlirim, pjesëtari i UÇK-së, Ilir Konushevci, së bashku me doktor Hazir Malaj,” ka deklaruar Krasniqi. “Vrasja e Ilirit ishte një humbje e madhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, sepse ndodhi në momentin kur ai po jepte kontributin më të madh për forcimin logjistik dhe organizativ të saj.”
Krasniqi theksoi se kontributi i Ilir Konushevcit për organizimin dhe funksionalizimin e strukturave të UÇK-së në një periudhë vendimtare për luftën për çlirim, mbetet i pashlyeshëm në historinë e Kosovës.
“Qoftë i përjetshëm kujtimi për emrin dhe veprën e tij!” përfundoi ai.