Profesori universitar, Milazim Krasniqi ka komentuar paraqitjen e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla në Këshillin e Sigurisë në OKB.
Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ka thënë se asnjëherë nuk e ka komentuar Gërvallen, që sipas tij arsyeja ka qenë se është e bija e Jusuf Gërvallës.
Ai tutje ka thënë se deklarata e Gërvalles që ka deponuar dokumente në Gjykatën Speciale ka qenë dhe mbetet e turpshme, dhe sipas tij mbajtja në detyrë pas asaj deklarate ka qenë dhe është imorale.
Krasniqi ka pyetur se “si e mbron kauzën e Kosovës, nëse vetë ka deponuar dokumente kundër Kosovës?”, dhe sipas tij pasojat u panë në KS të OKB-së.
“Sa mbaj mend, asnjë fjalë nuk e kam thënë ndonjëherë për Donika Gërvallën, si ministre e jashtme. Arsyeja gjithmonë ka qenë: meqë është e bija e Jusuf Gërvallës, ta kursej. Por kjo është qasje e gabueshme. Populli ynë thotë: “prej Skenderit del beteri.” Deklarata e Donikës se ka deponuar dokumente në Gjykatën Speciale ka qenë dhe mbetet e turpshme. Mbajtja në detyrë pas asaj deklarate ka qenë dhe është imorale. Si e mbron kauzën e Kosovës, nëse vetë ka deponuar dokumente kundër Kosovës? Pasojat u panë në KS të OKB-së. Shumë më mirë ka qenë po ta bënte prezentimin ambasadori Blerim Reka.” – ka shkruar Krasniqi.